Aktivistët e Lëvizjes Vetëvnedosje në diasporë protestuan sot në Bruksel kundër negociatave që po mbahen në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Protestuesit mbanin në duar parulla si “Sovraniteti është i panegociueshëm!”, “STOP tolerimit të BE-së ndaj fashizmit”, “STOP tolerimit ndaj ekspansionit serb!”, “Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje”, “Ktheni të pagjeturit në Kosovë!”, “Drejtësia është e panegociueshme!”, “Të drejtat tona janë të panegociueshme”, “STOP përkrahjes së BE-së ndaj politikanëve të korruptuar”, “RECIPROCITET!”, “Vetëvendosje për Kosovën”, “Duart larg nga Trepça!”, e të ngjashme.
Aktivistja Vlora Haxhimehmedi tha se Mustafa dhe Thaçi po vijnë në dialog me Vuçiqin dhe Daçiqin pa lejen e Kuvendit të Kosovës dhe pa prezantuar kurrfarë qëndrimesh, platforme apo qëllimesh. “Nuk ekziston kurrfarë dokumenti zyrtar në Kuvendin e Kosovës, e madje as në Qeverinë e Kosovës, mbi agjendën dhe karakterin e vazhdimit të dialogut. Takimi i sotëm po zhvillohet tinëz qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Dialogu i deritanishëm që u zhvillua nga 8 marsi 2011 deri më 31 mars 2014 ishte përherë për çështje të brendshme të Kosovës dhe gjithnjë pa asnjë kusht për Serbinë. Ky dialog 3 vjeçar duhet të shqyrtohet e hetohet, e jo të vazhdohet nga Mustafa me avazin e vjetër sikurse Thaçi. Tanimë dihet se temat e dialogut sot janë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që na bosnjëzon dhe formalizimi i ndarjes së gjyqësorit në veri të Ibrit”, theksoi Haxhimehmedi.
Serbia nuk po i shpërbën strukturat e saj shtetërore brenda Kosovës. Ajo e ka Listën Serbe brenda Qeverisë dhe nëpër Komuna. Ministrat e saj i quajnë egërsira qytetarët e Kosovës. Qeveria e Kosovës po vazhdon që ta shesë çdo pasuri publike. Pasi e solli ligjin për Trepçën si ndërmarrje publike, nën trysninë e Beogradit, ligji u tërhoq për t’u zëvendësuar me një tjetër i cili nuk e bën Trepçën ndërmarrje publike. Kjo është shenjë se Isa Mustafa po përgatitet që ta vë në tavolinën e negociatave edhe Trepçën. “Ne i themi kryeministrit – mos e qit Trepçën në bisedime, sepse ajo është pasuria më e madhe natyrore që ka Kosova. Populli do ta mbrojë Trepçën me protesta e demonstrata dhe kurrë nuk do të pranojë që për pasuritë e shtetit tonë të pyeten ata të cilët në Kosovë bënë masakra e gjenocid. Kryeministër, mos negocioni me Serbinë e cila shef të ushtrisë e ka Ljubisha Dikoviçin. Ai po akuzohet për krime kundër njerëzimit në Kosovë”, bëri thirrje aktivistja Vlora Haxhimehmedi, duke shtuar se do të vazhdohet me protesta edhe në Bruksel kundër këtyre negociatave.
Kosova po negocion me Serbinë thua se ajo i ka borxh Serbisë, e jo Serbia Kosovës. Vetëm nga lufta e fundit u vranë 12.000 shqiptarë, kishim mijëra të pagjetur e afër 20.000 gra të dhunuara, mbi 1600 ende të pagjetur, 120.000 shtëpi u shkatërruar ose dogjën, u plaçkitën fondi pensional, depozitat bankare dhe 1200 artefakte kulturore. Serbia nuk na ka kërkuar falje dhe asnjë cent nuk e ka paguar për gjithë këto humbje e vuajtje që na i ka shkaktuar. Kosova nuk mori pjesë në sukcesionin e Jugosllavisë kurse Plani i Ahtisaarit na bëri të marrim pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë. Emrat e Vuçiqit e Daçiqit i kemi dëgjuar rregullisht në fund të viteve të ’90-ta bashkë me emrat e Milosheviqit dhe Sheshelit. Duke dialoguar me ta, Mustafa e Thaçi po i rehabilitojnë ata dhe natyrisht që mandej Serbia ecën me shpejtësi drejt BE-së kurse ne po ngecim në çdo aspekt. Për Kosovën vendos populli i Kosovës, dhe jo politikanët e saj të korruptuar në negociata pa kushte e pa parime. Për Kosovën vendosim vetë ne kolektivisht. Vetëvendosje për Kosovën!