Nënkomiteti për arsim i Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, ka mbajtur tryezë me temën “ Arsimi në komunën e Gjilanit gjatë vitit 2018”, ku u paraqit një pasqyrë e gjendjes reale që ka mbizotëruar në fushën arsimit gjatë vitit që lamë pas.
Panelistë të kësaj tryeze ishin deputeti Ismajl Kurteshi, kryetari i Qendrës Nevzad Isufi, kryetarja e komitetit dhe mësimdhënësia Ardhmërie Jakupi, asambleistja dhe mësimdhënësia Arijeta Rexhepi dhe anëtari i komitetit për arsim në kuvend dhe mësimdhënësi Fehmi Sylejmani.
Gjendjen që po mbizotëron në fushën e arsimit në nivel vendi, e solli ne diskutim deputeti Ismajl Kurteshi, edhe si kryesues i Komisionit Parlamentar për Arsim, duke folur per sfidat, problemet dhe vështirësitë , të cilat janë evidente pothuajse në çdo qytet të Kosovës pa dallim.
Ndërsa sa i përket sfidave në nivelin lokal, foli kryetari i Qendrës njëherit profesor Nevzad Isufi i cili tha se nuk është hera e parë që ne si subjekt politik debatojmë për arsimimin, por ndoshta është hera e parë që jemi mbledhur për të biseduar për arsimin, në një kohë kur arsimi është në grevë të përgjithshme. Kur arsimi në Republikën e Kosovës është paralizuar tërësisht, kur fjala grevë është bërë kryefjalë e çdo fjalie që zë vend në çdo familje tonë. Por a mund të kemi gjendje më të mirë në arsim në Republikës së Kosovës, në kontekst të gjendjes së përgjithshme që është gjithashtu problematike, si në aspektin politik po ashtu edhe në aspektin ekonomik, kjo është çështje.
“Viti 2018, shënonte një vit të qeverisjes lokale që kishte dalë nga rezultatet zgjedhore të vjeshtës së vitit 2017. Dhe si zakonisht në kuptimin drejtues të institucioneve kemi lëvizje, emërime e ndërrime të drejtorëve të shkollave dhe të drejtorëve të drejtorisë së arsimit. Por a do të duhej domosdo të ndodhë kjo sikur të kishim depolitizim të arsimit, sigurisht se jo. Thirrjen për depolitizim, të cilin ne e kemi përsëritur shumë por mbetet vetëm thirrje, sepse praktika tregon të kundërtën, madje politizimi ka vazhduar duke u thelluar gjithnjë më shumë, si në nivelin parësor, dytësor dhe atë të arsimit të lartë. Por a mund të bëhet kjo vetëm në nivelin lokal pa pajtim dhe miratim edhe nga pushtetit qendror, pa saktësime edhe ligjore, është vështirë e imagjinueshme, kur tashmë praktikat e tilla të veprimit janë bërë një lloj tradite në këta dy dhjetëvjetësha në arsimin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Isufi.
Asambleistja Arijeta Rexhepi tha se në institucionet parashkollore me qëndrim ditor këtë vit shkollor 2018-2019 janë pranuar 423 fëmijë nga mosha nëntë muajsh e deri në gjashtë vjet, ndërsa 1250 nxënës janë regjistruar në klasën e parë, siq shihet nga këto të dhëna një numër shumë i vogël i fëmijëve nga mosha nëntë muajsh e deri në gjashtë vjet qëndrojnë në institucionet parashkollore,kërkesat e prindërve janë më të mëdha, por nuk ka vend në qerdhe publike.
“Në qytetin tonë ka 4 qerdhe publike të cilat nuk janë të mjaftueshme për banorët e Gjilanit, nga komuna nuk kemi asgjë të planifikuar për fillim të ndonjë objekti parashkollorë ku duhet cekur se ende qerdhja Ardhmëria 1 është në një objekt privat për 10 vite, ku ne paguajmë qira të lartë si dhe kushtet për moshën e fëmijëve që qëndojnë aty nuk janë të përshtatshme , është e shtruar e gjitha në pllaka, ka kuzhinën në podrum ku fëmijët duhe të zbresin nga kati I dytë për të ngrën ushqimin.
Kushte jo më të mira kemi edhe në shkollat fillore dhe të mesme me një infrastrukturë jo të mirë , kemi 5 shkolla të cilat e ndjekin mësimin në tri objekte shkollore, e aty ende vazhdon mësimi me tri ndrrime.Na mungojnë objekte shkollore ndërsa objekti i shkollës së bujqësisë mbyllet por edhe ato që janë duke u ndërtuar nuk përfundojnë asnjëhërë në afatin e paraparë. Shumica e shkollave nuk kanë terene sportive edhe pse kjo ka qenë një premtim i kryetarit të komunës , nuk kanë kabinete të paisura me mjete të nevojshme didaktike, nuk kanë fleta të bardha për nevojat e mësimdhënësve për punën me nxënës.
Në shëndetin fizik të nxënësve ndikojnë lokacioni, ndriqimi, ajrosja e hapsirës, ngrohja dhe mirëmbajtja e higjienës në objektin shkollorë por si është ajo në shkollat tona”, ka thënë Rexhepi.
Diskutimet e tyre i sollën edhe kryetarja e komitetit e cila foli në cilësi të arsimtares Ardhmërie Jakupi, duke folur nga perspektiva e saj. Për punën e komitetit për arsim në Kuvend foli Fehmi Sylejmani, ndërsa për kushtet e zhvillimit në praktikë profesionale foli Nebih Latifaj.
Në këtë tryezë, kontibut në diskutim dha edhe deputeti Shemsi Syla, ndërkohë që morën pjesë arsimtarë, profesorë të shkollave të ndryshme, veteran të arsimit e arsimdashës të tjerë.