Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në ditën ndërkombëtare të punëtorëve zhvilluan një aktivitet simbolik për të drejtat e punëtorëve.
Vdekjet në punë mbesin alarmante dhe pa asnjë masë serioze të ndërmarrë nga institucionet. Vetëm në vitin 2017 kemi 6 punëtorë të vdekur në vendin e punës. Për më pak se katër muaj, janë gjashtë jetë të humbura njerëzish. Për këtë i kemi vendosur simbolikisht edhe gjashtë helmeta.
Dhe punëtorët që humbin jetën në detyrë nuk guxojnë të trajtohen si raste aksidentale. Humbja e jetës së një punëtori sot nënkupton edhe humbjen e burimit financiar kryesor të një familjeje. Ndërkohë, në të shumtën e rasteve nuk ka shpagim e as kompensim.
Gati të gjithë punëtorët – veçanërisht të sektorit privat trajtohen si mjete, për rritjen e fitimit të kompanisë. Për punëtorët e Kosovës nuk ekziston Ligji i punës, as Kontrata Kolektive dhe as të drejtat elementare të njeriut. Rreth 61.3% e të rinjëve të moshës 15 deri 24 vjeç punojnë pa kontratë pune.
Të punosh pa kontratë ose të mos respektohet kontrata, sot nënkupton që të jesh ndërtues që i lë gjymtyrët në punë; të jesh punëtor sigurimi e të qëndrosh deri në rraskapitje për 150 pagë; të jesh shitëse me orar të zgjatur dhe të punosh pa ditë pushimi për një pagë që nuk mjafton as për të blerë miell për familjen, të jesh kamarier në qytete të vogla dhe të paguhesh nën 100 euro; të jesh taksist dhe të mos pushosh as për festa.
Rastet fatale, duhet të janë alarm edhe për shfrytëzimin që kalon i pavërejtur. Shteti që nuk u shërben punëtorëve, i shërben privatit. Një shtet i tillë i monopolistëve milionerë është armiqësor me qytetarët e tij që janë shumicë. Vetëm një organizim i fortë sindikal, politik e shoqëror mund dhe duhet të ndërhyjë për ndryshimin e kësaj situate, thonë në Vetëvendosje.