Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur sot nga këshilltarët komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që sipas tyre, e thirrur pas territ informativ nga mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal, e të sponsorizuar nga kjo qeverisje në ikje, u potencua neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e institucioneve në këto ditë të fundit të qeverisjes.
Shefi I këshilltarëve komunal të Vetëvendosjes, Nevzad Isufi, vuri theksin te mos prezenca në seancë te kryetarit në largim Lutfi Haziri, I cili, siç tha ai, me gjasë po del derë me derë të takoj qytetarët me shpresë se do t’I mashtroj edhe një herë.
“Kohëve të fundit Luta po ngarend fshat më fshat, se qytetin e ka të humbur, por as atje s’po gjen derman. S’po ka çfarë të thotë se nuk ka realizuar asnjë projekt, përndryshe do t’i përmendte ato. Po flet për kthim të dinjitetit, mbase ka vendosur t’ua kthej votën qytetarëve, të cilët tashmë disa herë I ka mashtruar, por kjo është bërë e qartë për të gjithë dhe mashtrimi ka marrë fund.”
Këshilltari tjetër Fehmi Sylejmani shprehi pakënaqësi mbi mostransmetimin e seancës së fundit të këtij legjislacioni , duke thënë se transparenca në Gjilan ka dështuar, dhe këtë duhet ta dinë qytetarët e Gjilanit. Më tutje, ai vuri edhe një herë në pah largimet e padrejta në Eco-Higjienë.
“Edhe më tej kemi problem me punëtorët e EoHigjienës, të cilët padrejtësisht u larguan nga puna, e në ndërkohë kjo qeverisje po improvizon zgjidhje artificiale, që më shumë janë rehatim I militantëve të partisë së vetë, duke krijuar ndërmarrjen “Tregu”, ku aksionarët, anëtarët e bordit dhe kryeshefi I kësaj ndërmarrje janë të partisë në pushtet.”
Arijeta Rexhepi, këshilltare e LV-së, foli mbi “dietën buxhetore” të kësaj qeverisje lokale.
“Në fillim të mandatit dëgjonim nga kryetari se po mbanë dietë buxhetore për të fshirë borxhet e lëna nga paraardhësi. Por, nga Raporti I fundit I sjellë në Kuvend, borxhi I komunës tonë është 7 milion e 780 mijë euro të deklaruara në raport.”