Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot konferencë për media, pas përfundimit të afatit për regjistrim të votuesve nga mërgata.
Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj dhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrushtemi, theksuan se përkundër afatit të shkurtër, prej vetëm tetë ditë për t’u regjistruar, pothuajse pa kurrfarë kampanje të informimit publik nga ana e KQZ-së, me pengesa e vështirësi teknike të vendosura nga vet KQZ, me rënie të vazhdueshme të serverit e bllokim të përditshëm të emailave zyrtarë të KQZ-së, bashkatdhetarët arritën që të regjistrohen si asnjëherë më parë.
Adnan Rrustemi tha se megjithatë, ky numër është i pamjaftueshëm, kur kihet parasysh numri i madh i mërgatës sonë, kontributit të tyre për Kosovën dhe lidhjeve të ngushta që kanë me vendlindjen.
“Kjo qasje e papërgjegjshme e KQZ-së ndaj votuesve të mërgatës është vazhdimësi e logjikës së qeverive të deritanishme që mërgatën nuk e shohin si pjesë të Kosovës e as si mundësi për vendin, por si problem që duhet eliminuar politikisht si shtetas, si votues dhe si vullnet. Mijëra shtetasve që jetojnë jashtë vendit u është bërë e pamundur që të regjistrohen, duke u kthyer mbrapshtë emailat, ndërsa institucionet tjera të thirrura që të përkujdesën për mërgatën si Ministria e Diasporës, ambasadat e konsullatat nuk kanë bërë as veprimin më të vogël për ta lehtësuar regjistrimin e tyre si votuesve jashtë vendit”, deklaroi Rrustemi.
Më tej ai tha se pengimi për të votuar është krim zgjedhor, ndërsa mohimi më brutal i të drejtës së votës është padyshim pamundësimi për t’u regjistruar përmes pengesave teknike. Ai shtoi se KQZ, me veprimet e papërgjegjshme dhe mosveprimin në raste tjera më shumë ka bërë të kundërtën se sa atë që e ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore, të përfshirjes së qytetarëve në zgjedhje dhe jo pengimin e tyre siç ka bërë me rastin e mërgatës.
“Krejtësisht kujdes dhe qasje tjetër ka pasur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kur bëhet fjalë për aplikacionet e falsifikuara e të fabrikuara në Serbi. Gjatë gjithë periudhës së regjistrimit, pothuajse asnjë aplikacion nuk kishte ardhur nga Serbia, ndërsa vetëm disa minuta para se të përfundoj afati, në mënyrë të kontrabanduar, të dyshimtë dhe kundërligjshëm janë sjellë në adresë të KQZ-së rreth 4000 aplikacione, pa u ditur as kush i ka solli e as si kanë hyrë në Kosovë”, deklaroi po ashtu Rrustemi.
E në lidhje me këtë, ai i bëri thirrje KQZ-së të pezullojë aplikacionet e ardhura kundërligjshëm nga Serbia dhe të kërkojë nga policia dhe prokuroria e republikës së Kosovës hetim të veçantë për mënyrën e ardhjes së këtyre aplikacioneve, kush i ka sjellë dhe kështu të refuzohen si paligjshme. Kurse, për të gjithë ata bashkatdhetarë që nuk kanë arritur që të regjistrohen, Rrustemi bëri ftesë që të vijnë personalisht në Kosovë në ditën e zgjedhjeve dhe të votojnë, ndërsa ata që janë regjistruar, të përcjellin njoftimet për afatet e dërgimit të fletëvotimeve përmes postës në adresë të KQZ-së.
Në anën tjetër, Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj rikujtoi se VETËVENDOSJE! ka dërguar shkresë zyrtare në KQZ për t’u vazhduar afatin për aplikim të mërgatës për të votuar, ndërsa pengesat që quheshin teknike, tha se dalin të jenë politike.
“Kjo kërkesë e jona zyrtare tashmë ka marrë refuzim zyrtar nga KQZ-ja, dhe ne kuptojmë që KQZ nuk ka pas interes e as vullnet për një qasje të tillë”, deklaroi Molliqaj, duke shtuar se KQZ në koordinim me koalicionin e krimit dhe koalicionin e dështimit po e pengojnë mërgatën, dhe po e favorizojnë Listën Srpska, duke treguar se janë 4000 aplikacione që kanë ardhur një orë para se të mbyllet afati derisa për 10 ditë nuk kishte ardhur asnjë.
Ai tha se qeveritë vazhdimisht i kanë marrë paratë nga mërgata dhe i kanë dërguar në Serbi, duke blerë mallra nga ky shtet, kurse tani po ua pamundëson votimin mërgatës e po i favorizon votuesit nga Serbia. Si dhe, përmendi se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e dy koalicioneve drejtuar KQZ-së për të ua mundësuar votimin bashkatdhetarëve nga mërgata.
“Përkundër pengesave të vazhdueshme, shtatë herë më shumë se në zgjedhjet e 2014-së ka kemi aplime nga mërgata. Pra shtatëfishim i interesimit nga mërgata. Janë mbi 13.000 aplikues për dallim nga 1800 sa kishin votuar në zgjedhjet e kaluara. Ky është interes i jashtëzakonshëm. Është vullnet i jashtëzakonshëm që i frikëson koalicionin e krimit dhe atë të dështimit”, theksoi Molliqaj, me ç’rast tha se me fitoren e Vetëvendosje-s, më nuk do të ketë pengesa të këtilla për mërgatën.
Molliqaj tregoi po ashtu se nëpër vende të ndryshme evropiane kanë filluar organizime vullnetare që me 11 qershor të vijnë fizikisht në Kosovë sa më shumë nga bashkatdhetarët, të cilëve iu bëri ftesë që të vijnë sa më shumë dhe ta shprehin vullnetin e tyre politik përmes votës.