/2L ONLINE/ – “Qëndrimi I Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin Srgjan Mitroviq mbetet ai i seancës së kaluar, kemi qenë kategorik se ai tashmë nuk e ka vendin në Kuvendin e komunës, sepse ai ka thyer betimin e tij të dhënë në këtë Kuvend, nuk i është përgjigjur kërkesës për deklarim dhe me mosdeklarimin e tij rreth njohjes së ligjeve të Republikës së Kosovës, e bënë atë të pa denjë për të qenë anëtar i këtij Kuvendi”.
Kështu është shprehur për Portalin 2L ONLINE, Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nevzad Isufi, për rastin e Srgjan Mitroviqit, i cili siç dihet ishte përjashtuar nga seanca e fundit, për shkak, të siç thuhet, emërimit të tij në strukturat paralele të Serbisë dhe refuzimit që të deklarohet nëse i njeh institucionet dhe ligjet e Kosovës, sipas të cilave ai është zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal.
“Me këto veprime Mitroviq tregon se paska qenë “misionar”( i fshehtë deri tash) i emëruar nga një shtet fqinj, nga i cili për çdo ditë vijnë provokime nga më të ndryshmet në emër të “fqinjësisë së mirë” dhe të një “dashamirësi” i cili po interesohet të na “ndihmoj” siç “na ka ndihmuar gjithmonë”. I tillë është edhe rasti i Srgjanit, i cili del se deri më tash ka shërbyer si një lloj informatori i shërbimeve të huaja, e jo si një i zgjedhur që përfaqëson interesat e komunitetit nga i cili vjen”, ka thënë Isufi i Vetëvendosjes.
Sipas tij, ashtu-kështu as ai por s’beson që edhe anëtarët tjerë të Kuvendit, të kenë pasur rastin të dëgjojnë, që brenda kësaj periudhe të mandatit të Mitroviqit në Kuvend, të ketë ngritur ndonjë çështje, a të ketë bërë ndonjë diskutim për ndonjë çështje me rëndësi qoftë për komunitetin që ai gjoja paska përfaqësuar, e lëre më për ndonjë çështje tjetër me karakter më të përgjithshëm.
Kështu që shkarkimi dhe largimi i tij, siç thotë Isufi, do të duhej të ishte i mirëseardhur edhe për vet minoritarët serbë, të cilët do të mundnin që në vend të tij të kenë një përfaqësues, i cili do të përfaqësonte realisht interesat e tyre në Kuvendin e Komunës së Gjilanit Kuptohet gjithnjë duke njohur kushtetutën, ligjet dhe të aktet tjera normative të shtetit të Kosovës, në emër të të cilave edhe janë bërë zgjedhjet, ku kanë marrë pjesë edhe ata.
“Është brengosës fakti që mosfunksionimi i duhur dhe brishtësia e disa institucioneve tona qendrore e lokale, na lë radhë edhe ne si anëtarë të një Kuvendi Komunal të merremi me çështje të tilla, për ndryshe kjo do të ishte e panevojshme që ne të “qanim kokën” me këso gjërash. Nëse dikush ka pretendime që këtë çështje ta mjegulloj, neglizhoj, injoroj, në emër të ligjit, gabohet, sepse për ne është e sigurt, se qoftë me ligjet e përgjithshme, qoftë me ato të veçanta, është e precizuar kjo gjë. Kemi të bëjmë me shkelje ligjore dhe këto nuk duhet lejuar. Për ndryshe ne si grup i Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do jemi në një vend me këta shkelës. Në të kundërtën përditë do të “mbijnë” kryetarë të rinj të komunave si edhe tash “Kryetari paralel i Komunës së Ranilluk-ut”, me të cilët përfaqësuesit e shtetit të Serbisë zyrtarisht po takohen në pikë të ditës, madje duke hyrë pa leje nga institucionet tona, duke shpërfillur skajshmërisht ato”, ka thënë Nevzad Isufi, shefi i Grupit të Këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /2L ONLINE/