Sot mbushen tetëmbëdhjetë vite kur Gjilani dhe populli i tij me nderimet më të larta nën përcjelljen ushtarake të UÇK-së e të gardës së nderit po përcillte për në varrezat në Kodrën e Dëshmorëve tetëmbëdhjetë dëshmorë të rënë në fushë betejat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së Zonës Operative të Karadakut. Kjo ditë ishte shpallur ‘’Dita e Dëshmorëve’’.
Prandaj në nderim të kësaj dite të madhe të dhembjes e të krenarisë sonë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me Kryetaren e Qendrës dhe deputeten Besa Baftiu, kandidatin për Kryetar të Komunës, Sami Kurteshin, dhe kandidatët për asamble komunale bënë homazhe duke vënë lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve të kombit.
Më pastaj aktivistë dhe udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me Kryetaren e Qendrës dhe deputeten Besa Baftiu, kandidatin për Kryetar të Komunës, Sami Kurteshin, kryetarin e Këshillit të Përgjithshëm Hydajet Hysenin, Sekretarin Organizativ dhe deputetin Ismajl Kurteshi, vizituan familje të dëshmorëve duke ju gjetur pranë në këtë ditë të kujtimit e të rikujtimit të bijave e të bijve të tyre dëshmorë, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.