/2L ONLINE/ – Përfaqësues të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan thanë se Komuna e Gjilani po vazhdon të keqqeverisjet nga pushtetarët e tanishëm dhe se komuna po përballet me probleme të shumta, me ndërtime pa leje, mungesë të barazisë gjinore, mungesë të vendeve të reja të punës, punesime pa kritere, mungese investimesh…
Deputeti Ismajl Kurteshi tha se në Gjilan po vazhdojnë ndërtimet pa leje që po e ngufasin qytetin. “Zgjerimi i rrugëve në tri hyrjet e qytetit, jo vetëm se nuk po ndodh por edhe në ato korridore po lejohen ndërtimet pa leje që do ta vështirësojnë zgjerimin e këtyre rrugëve edhe në të ardhmen. Ndërtimi pa leje afër shkollës “Thimi Mitko” (ku një pjesë e oborrit të çerdhes po uzurpohet), ndërtimi afër Gjimnazit dhe ai afër Silosi po bëhen pengesa për zhvillimin normal të mësimit por dhe të afarizmit. Kurse për ndërtimet në tokat pjellore ky pushtet as që qanë kokën, por tani kanë filluar ndërtimet e larta në toka të buta, në livadhe që do të jetë e rrezikshme për banorët e ardhshëm në ato objekte banimi”, tha Kurteshi.
Ai shtoi se sa i përket investimeve kapitale dhe sjelljes së investitorëve të huaj, edhe pse ka kaluar pothuaj gjysma e mandatit, Kryetari i Komunës ende është në fazën e planifikimit, negocimit, studimit por assesi të fillojë me realizimin e projekteve të premtuara e që janë shumë të nevojshme për qytetarët e Gjilanit.
“Edhe në fushën e menaxhimit me buxhetin e Komunës dhe pronave komunale ka shumë mangësi e keqpërdorime. Praktika e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale po vazhdon me vendime të pa detajuara, shpesh për ndërtime të forta, pa qira si kompensim, këto prona shpesh nuk evidentohen në Komunë”, tha ndër të tjera Kurteshi, duke theksuar më tej se Agjensioni Kundër Korrupsionit jo vetëm se ka konstatuar shkelje por edhe ka kërkuar anulimin e shumë tenderëve, por këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër.
Aktivistja Luljeta Rashiti tha se udhëheqja e Komunës së Gjilanit e ka gojën plot barazi gjinore, por në praktikë nuk e bën asnjë hap në këtë drejtim. “Kështu, në ekzekutivin e Komunës nuk është asnjë grua udhëheqëse e ndonjë drejtorie komunale. Komuna e Gjilanit duhet që t’iu japë mundësi grave që të kontribuojnë në zhvillimin e Komunës, pasi që kapacitetet e tyre janë pakrahisimisht më të mëdha sesa vlerësimet e ekzekutivit për to. Ky do të duhej të ishte vetëm hapi i parë për arritjen e kësaj barazie”, u shpreh Rashiti.
Në Komunën e Gjilanit edhe në ato pak vende të punës që po hapen punësimi bëhet pa kriter, e shpesh edhe pa konkurs. Lidhur me këtë çështje foli aktivisti Shpend Nuhiu. “Në të shumtën e rasteve, për fat të keq, kriter për punësim është përkatësia partiake e jo kualifikimi, cilësia dhe përgatitja shkollore. Mungesës së vendeve të reja të punës, kur i shtohet edhe kjo formë e punësimit siç bëhet në Komunën e Gjilanit, bën që një pjesë dërmuese e të rinjve t’i humbin shpresat dhe të orientohet jashtë Kosovës”, tha në fund ai. /2L ONLINE/