Në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje është thënë se Bankat në Kosovë operojnë sikur fajdexhinjtë. Përderisa normat e kamatave në BE sillen rreth 5%, në Kosovë kamatat mesatarisht janë 14%. 18% janë kamatat e kredive për bujqësi, përderisa 12% për mallrat e konsumit. Nga të gjitha kreditë vetëm 4% janë për bujqësi, 11% për prodhim përderisa për tregti janë 52%. Kreditë në Kosovë janë fajde. Bankat në Kosovë për dallim prej fajdexhinjve kanë letra. Por fajdeja me letra është përsëri fajde.
Bankat në Kosovë përveç fajdeve, qytetarëve u marrin të holla për secilin shërbim që kryejnë në këto institucione. Edhe kur deponon ose merr të holla nga kontoja juaj, një pjesë të parave ua merr banka. Shteti në njërën anë, detyron edhe sektorin publik edhe atë privat që të funksionojë përmes bankave (është fjala për pagesat e rregullta), kurse në anën tjetër nuk lodhet aspak që t’iu bëjë trysni bankave për të ofruar shërbime më të lira dhe më kualitative.
Kjo trysni që do t’i shërbente interesit të qytetarëve nuk bëhet nga Banka Qendrore e cila është e kapur nga PDK-ja.
Kosova ka nevojë për një Bankë Qendrore që e mbron interesin financiar të shtetit dhe të shoqërisë, e jo pasurimin enorm të bankierëve përmes zhvatjes së qytetarëve më të varfër të Evropës.
Kamatat në Kosovë duhet të ulen në atë mënyrë që kreditë t’i shërbejnë rritjes së prodhimit vendor dhe forcimit të bujqësisë. Vetëm me politika të tilla financiare ekonomia jonë do të forcohej dhe kësisoj do të krijoheshin vende të reja të punës, thuhet në fund të komunikatës së lëvizjes Vetëvendosje.