/2L ONLINE/ – Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal dhe njëherësh anëtar i Komiteti të Arsimit në Vetëvendosje ka thënë se arsimi në komunën e Gjilanit vazhdon të përballët me shumë dobësi, lëshime, dhe defekte të shumta që ndikojnë negativisht në zhvillimin e gjithëmbarshëm të këtij sektori. Vetëm gjatë këtyre tre muajve të parë kanë ndodhur disa shkelje ligjore nga më të ndryshmet, të cilat në vijim po i paraqesim.
Sipas tij, zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve, bëhet në pajtueshmëri me procedurat ligjore për rekrutim dhe kriteret ligjore të përcaktuara nga MASHT-i. Ndërkaq ky pushtet aktual, në fillim të muajit marsit ka emëruar disa të drejtorë dhe zv. drejtorë të shkollave, e për një pjesë të tyre janë respektuar procedurat e konkursit, por ka raste kur DKA, ka bërë transferime të drejtorëve nga një shkollë në tjetrën pa kurrfarë respektimi të procedurave dhe dispozitave ligjore.
Mirëpo, sipas Sylejmanit, shkelja më drastike sërish vazhdon të jetë e pranishme me rastin e përbërjes së Komisionit Intervistues për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Pika 2 e nenit 3, të udhëzimit Administrativ të MASHTI 08/2014 për procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucione edukativo arsimore aftësuese thotë qartë : Anëtarët e Komisioni Intervistues duhet të kenë të përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim, kurse pika 2.4 thotë: Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë të emëruarit politik.
“Pikërisht janë këto dy pika të këtij udhëzimi administrativ që janë shkelur, për faktin se njëri nga tre anëtarët e Panelit Intervistues nuk e posedon trajnimin për udhëheqje, kurse e tërë përbërja e Komisionit Intervistues është e përzgjedhur në baza partiake, që bie ndesh me pikën 2.4 të udhëzimit Administrativ.
Në vend se të ndalohen rreptësisht punësimet e punëtorëve me kontratë në vepër, ky numër fatkeqësisht po shtohet për çdo ditë e më tepër. Janë mbi 50 punëtorë të punësuar po u shpallur fare konkursi, që nënkupton që 50 herë është shkelur ligji. E aq më keq që në mesin e të punësuarve me kontrata në vepër, gjë që ky punësim paraqet shkelje ligjore, ekzistojnë punëtorë arsimor të pakualifikuar”, ka thënë Sylejmani.
Ai shtoi se me dhjetëra njerëz me përvojë dhe të kualifikuar, përpos që nuk po u merren parasysh këto, atyre nuk po iu epet mundësia e konkurrimit, qoftë edhe formalisht. “Zaten, zyrtarja e nivelit të shkollimit të mesëm në DKA, është e pakualifikuar dhe nuk ka bagazh e as përvojë për këtë detyrë dhe është me kontratë në vepër. E jashtëligjshme tërësisht”, thotë ai.
Sylejmani thotë tutje se edhe për kundër që ishte miratuar rregullorja për ndalimin e kurseve në Kuvend dhe fillimisht qasjes së drejtë të drejtorit të arsimit për të ndaluar këtë dukuri tek mësimdhënësit, tashti kemi një zmbrapsje të drejtuesve të lartë të arsimit dhe është diçka e çuditshme mënyra e tyre për ta neglizhuar këtë fenomen aktual në arsim.
Sipas tij, një defekte tepër i madh që po e përcjell arsimin në Gjilan, është numri i madh i mungesave të paarsyeshme të nxënësve në shkollat e mesme, prej të cilëve ka me shifra tejet të larta dhe të cilat mungesa janë fshehur dhe nuk janë publikuar.
Sylejmani tha se gjithashtu në këtë rrafsh kemi edhe një numër të madh të mungesave të mësimdhënësve në disa shkolla, madje në një shkollë një numër të madh mungesash të mësimdhënësve. Ndërkohë që kemi të dhëna, se drejtoria e Arsimit, disa shkolla tashmë i ka kontrolluar dhe shpresojmë se do të marrin masa sipas dispozitave ligjore.
“Kërkojmë nga organet relevante të arsimit në Gjilan që të marrin masa sipas depozitave ligjore për këtë numër kaq të madh të mungesave, si tek nxënësit, po ashtu edhe tek mësimdhënësit, përkatësisht përgjegjësi dhe llogaridhënie të drejtuesve të institucioneve shkollore”, ka thënë Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal dhe njëherësh anëtar i Komiteti të Arsimit në Vetëvendosje. /2L ONLINE/