(2L ONLINE) – Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan kanë thënë se edhe si opozitë pa hezitim do t’i vlerësojnë pozitivisht të gjitha punët e mira që bëhen në Gjilan. Ata kanë vlerësuar faktin që po shtrohen-asfaltohen disa rrugë, por kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me cilësinë e tyre.
Shih për këtë, Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë me dije për 2L ONLINE, se i ka adresuar një shkresë zyrtare Sokol Hazirit, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Ismajl Januzit, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, nga të cilët ka kërkuar raport-informatë nga komisioni mbikëqyrës-profesional për pranimin e disa rrugëve të asfaltuara në qytet, gjatë këtij viti, përkatësisht në nëntëmujorin e qeverisjes së re.
Sylejmani ka thënë se pavarësisht se i takojmë një Grupi Politik, që në qeverisjen lokale është pozicionuar në rolin e opozitës, punët e mira që kryhen në komunë i bëjnë të ndihen më të rehatshëm dhe më të lumtur, gjë që është mbase edhe detyrë e tyre, e të gjithëve.
Por, sipas tij, ka kohë, tashmë që disa rrugë në qytet kanë përfunduar me fazën e fundit të kryerjes-asfaltimi i tyre. Mirëpo edhe përkundër, që janë kryer, Vetëvendosje ka vërejtjet e saja, që kanë rezultuar nga vetë qytetarët e këtyre rrugëve, se këto rrugë nuk janë shtruar sipas projektit, pra nuk është kryer puna me kualitet dhe cilësi të lartë, si kundër që këto rrugë nuk janë pranuar zyrtarisht nga Komisioni i Posaçëm Vlerësues-Profesional.
Për këtë qëllim, Sylejmani thotë se ka kërkuar nga zyrtarë të lartë të komunës, nga drejtorët përkatës, raportin zyrtar të këtij komisioni për këto rrugë tashmë të pranuara.
“Sa për t’ju bërë më të qartë këtë kërkesë, rrugët e fundit që janë asfaltuar në lagjen Zabel, pastaj rruga drejt fshatit Koretishtë, që fillon nga Fakultetit i Edukimit, rruga e fundit e Dardanisë II si dhe disa rrugë tjera në Dardaninë I, e që disa prej tyre akoma nuk kanë përfunduar, e dihet mirëfilli se disa tashmë kanë hyrë në muajin e gjashtë dhe nuk janë kryer. Për këto rrugë që edhe më tej, nuk kanë përfunduar, na tregoni cilat janë arsyet pse kaq shumë janë prolonguar-zhargitur këto punë”, ka sqaruar Sylejmani i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/