(2L ONLINE) – Koalicioni LAN është prishur për çështje postesh. Ujdia me Thaçin është ndrequr për çështje dosjesh. Ky është shpjegimi që dha Kryetari i Lëvizjes VetëvendosjeE! Albin Kurti para qytetarëve të Vitisë sot. Bashkë me deputetin Salih Salihu ai paraqiti qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për situatën politike, por edhe u përgjigj në një mori pyetjesh të të pranishmëve.
Për pesë muaj rresht asnjërin prej 63 deputetëve që kishin formuar shumicën parlamentare as nuk i frikësoi e as nuk i bleu dot PDK-ja, por kreu i LDK-së Isa Mustafa u shit te Hashim Thaçi, theksoi Kurti. Të shënojë autogol nga penaltia mund të bëjë vetëm një njeri i talentuar për dobësi si Isa Mustafa.
Kurti tha që Mustafa bëri ujdi e jo marrëveshje sepse ai nuk bëri negociata para marrëveshjes, por qeveria u nda përgjysmë si plaçkë pas nënshtrimit ndaj Thaçit. Kjo shpejtësi e ujdisë vjen nga ato 70 lëndë në prokurori të krimit ekonomik e urbanistik të komunës së Prishtinës kur atje ishte kryetar Isa Mustafa e të cilat ambasadorja amerikane Jacobson ia futi në frigorifer për ngrirje të cekët. Dy ditë pasi që Ambasadorja amerikane iu tha krerëve të LAN-it që edhe ju jeni të korruptuar andaj s’keni pse të distancoheni nga Thaçi, ajo shkoi te u.d. i kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili është po ashtu i kapur: në njërën anë e mbajnë peng në pozitën e ushtruesit të detyrës e, në anën tjetër, vëllau i tij, Elez Hoxha, është në burg për korrupsion i dënuar me katër vjet pasi që si gjykatës ka marrur ryshfet!, vazhdoi Kurti. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ndihmuar shumë në kohë lufte për çlirim por tash Ambasada Amerikane nuk po e ndihmon Kosovën në kohë paqe për zhvillim dhe demokratizim. Përkundrazi.”, theksoi ai.
Sipas Kurtit, megjithëse janë bërë më shumë se dy javë që ish-koalicioni LAN ka hequr dorë nga posti i kryeparlamentarit ende nuk kemi konstituim të institucioneve sepse nuk u ngutej nëse ka krizë në institucione, por u ngutej pse nuk kishte krizë në LAN.
“PDK-ja nuk e pranoi ofrimin e Ramush Haradinajt dhe të AAK-së në fillim të kësaj jave dhe kësisoj e refuzoi për së dyti atë duke e pasur për qëllim jo vetëm përdorimin e Haradinajt për shkatërrimin e LAN-it por edhe poshtërimin e Haradinajt e të AAK-së. Gjatë takimeve të krerëve të LAN-it, Fatmir Limajn na pati treguar se Thaçi është njeri sadist, pra ai kënaqet duke i parë të tjerët teksa vuajnë, tha Kurti gjatë këtij tubimi duke shtuar se “përderisa Thaçi qenka sadist, i bjen që Isa Mustafa me gatishmërinë për nënshtrim është mazohist”.
Qytetarët që morën pjesë në debat shprehën mbështetjen për përpjeket e Vetëvendosje-s rreth çlirimit të vendit nga kapja e shtetit dhe e akuzuan PDK-në dhe LDK-në për vazhdim të korrupsionit në pushtet e të mjerimit në popull.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për modelin e drejtë të shtetit, Kurti tha që “Nuk ka demokraci pa Republikë dhe nuk ka demokraci pa socialdemokraci. Sepse në Republikë populli është burim i sovranitetit për dallim prej monarkisë ku është mbreti; dhe, popullsia në shumicvën e saj dërrmuese është e vafër ose e klasës së mesme”.
Deputeti Salihu e kritikoi LDK-në për vendimin e saj për t’u bërë pjesë e qeversjes me PDK-në. “Në orët e vona të mbrëmjes u nënshkrua marrëveshja në zyrën e presidentes dhe u pa që për pesë muaj LDK-ja nuk e ka pasur seriozisht përpjekjen e saj për shkëputjen e lidhjeve me PDK-në që e ka kapur shtetin”, tha Salihu. Qytetarët e vlerësuan këtë formë të debatit si afrim të Lëvizjes Vetëvendosje me zërin dhe kërkesat e popullit. /2L ONLINE/