Ngritja e aktakuzës kundër “Grupit të Drenicës” pritet të kundërshtohet fuqishëm nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kryesia e OVLUÇK-së pritet të mblidhet këtë javë për të vendosur rreth veprimeve që do të marrë për ta kundërshtuar aktakuzën e ngritur kundër “Grupit të Drenicës”.
Kryetari i OVLUÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë për “Epokën e re” se kryesia e kësaj organizate do të mblidhet gjatë kësaj jave dhe do të vendosë për hapat që do të marrin ndaj këtij procesi. “Gjatë kësaj jave do të takohemi me kryesinë e organizatës dhe të shohim se çka do të vendosim për të vepruar më tutje”, ka thënë Xhemajli. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një proteste gjithëpopullore për ta kundërshtuar këtë aktakuzë.