Veteranet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar rreth arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale. Në një reagimi të tyre thuhet: “Ne u themi këtyre gjykatave, se me padrejtësi të tilla, kurrë dhe asnjëherë nuk mund ta përdhosni luftën tonë të drejtë për liri, kurrë dhe asnjëherë nuk mund t’i njollosin ata që bënë luftë çlirimtare dhe i sollën lirinë këtij populli”.
Më tutje, thuhet se i ka indinjuar rasti i arrestimit i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.
“Ne veteranet (femra) e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të indinjuara nga ngjarjet e fundit që ndodhën në zyrat e Shoqatave të Dala nga Lufta e fundit në Kosovë, si dhe nga forma e veprimit dhe arrestimit që iu bë luftëtarëve të lirisë si dhe dy udhëheqësve të kësaj shoqate, z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, ngrehim zërin kundër veprimeve dhe arrestimeve të tilla nga kushdo që janë bërë ato.
Ne populli i Kosovës u jemi mirënjohës përjetë ShBA-së dhe atyre vendeve evropiane që ndihmuan që ky popull njëherë e përgjithmonë të çlirohet nga barbaria serbe dhe ta gëzojë lirinë. Por, kjo s’jep drejt që tani të silleni në mënyrë spektakulare dhe jo të civilizuar pikërisht ndaj atyre që janë më meritorët që sot e gëzojmë lirinë.
Gjithçka që pamë në media ishte çdo gjë tjetër vetëm drejtësi jo! Andaj e kemi theksuar dhe po e theksojmë prapë, se ne bijtë dhe bijat e këtij populli nuk kemi bërë asnjë mëkat për t’i larë ato nga një gjykatë në tjetrën, kur t’i teket dhe sa herë t’i teket dikujt për qëllime politike. Mëkati ynë i vetëm është që kemi rrokur armët për t’u çliruar nga një regjim barabar pikë”, thuhet në reagim.