/2L ONLINE/ – Filluam vitin shkollor,urimet dhe sukseset ende po vazhdojnë të thuhen nga të gjithë dashamirët e punës, vlerës së dijes dhe të asaj se çfarë të arriturash do të kemi gjatë këtij viti shkollor. U uruam edhe nga Institucioni mëi lartë arsimor me porosi dhe kërkesa nga më të ndryshmet. Në rregull; ai është vendi ku duhet të burojnë të mirat,vlerat arsimore, urdhëresat për të pasur një fillim të mbarë shkollor.
Të gjitha këto lëvdata e porosi bile ndonjëherë me zë e vështrim kritik ,ne, si mësimdhënës i morëm me profesionalizëm duke u bazuar në parimet tona se jemi udhërrëfyes brezash. Por nuk e di a jemi duke e marrë gjënë më të rëndësishme për ne:Një përkushtim pak më serioz nga ana e juaj si Ministri e Arsimit si ndaj nxënësve ,ashtu dhe ndaj neve mësimdhënësve.
Jemi të vetëdijshëm se pavarësisht kushteve dhe rrethanave që i kemi në vendin tonë,ne duhet të jemi “medalja e artë”e të gjithë brazave. Nuk duhet të kemi kohë për ankesa edhe pse me ato përballemi për çdo ditë në format nga më të ndryshmet sepse duhet t’i përvishemi punës që këto vështirësi të bëhen më të lehta. Andaj dhe po mundohemi që për çdo ditë të japim dritë, të çelim dritare të dijes aty ku punojmë.
Vlerësimi më i sinqertë dhe më i ëmbël është kur shohim buzëqeshjen e fëmijëve,vullnetin dhe dashurinë për të mësuar më shumë. Nëse e arrimë këtë,ne e kemi kryer testin tonë të cilin Ju si Institucion doni ta bëni. Mos harroni; ne për çdo ditë jemi të testuar dhe jam e bindur se për çdo ditë po ia dalim mbanë. Nuk kemi nevojë për tjetër test! /2L ONLINE/
Arbëresha Aliu – SH.f.”Abaz Ajeti” Gjilan