/2L ONLINE/ – Kadri Veseli kandidat për të parin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndonëse u mundua të jetë modest duke thënë se “nuk e bajmë gajle se kush ka me qenë kryetar i partisë”, për të shtuar se PDK ka lidershpit të fortë, se PDK është me rrënjë të fortë, njerëz me përvojë… dhe jo vetëm me udhëheq parti, por për me i pri edhe vendit, edhe proceseve të globalizmit, megjithatë ai zbarkoi të mërkurën në Gjilan, për të takuar me strukturat dhe anëtarësinë e këtij subjekti, jo vetëm nga Gjilani, por edhe nga Kamenica, Vitia e Artana, që edhe formalisht t’iu konfirmohet mbështetja e PDK-së së kësaj ane, për kandidaturën e tij, për kryetar partie.
Ai ka lavdëruar shumë këtë pjesë të Anamoravës, për kontributin që ka dhënë në të gjitha periudhat , e kur është në pyetje Gjilani ka thënë se atë duhet patjetër ta fitojë Zenun Pajaziti sepse këtë e do vet Gjilani i Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit, Ramiz Cernicës, Avdullah Tahirit, agim Ramadanit , Rexhep Malës e Nuhi Berishës, KAdri Zekës e plotë të tjerëve.
Në anë tjetër Begzad Sinanin e Kamenicës e ka përgëzuar për qeverisjen e mirë me komunë, derisa nga PDK e Vitisë ka kërkuar angazhim dhe mobilizim për fitore në zgjedhjet e radhës.
Veseli u mundua për të mos ia humbur mundin askujt, duke thënë edhe se Gjilani sa qeverisej nga PDK me Qemajl Mustafën kishte pasur transformimin më të madh, ndërsa kritikojë gjendjen e tanishme me Gjilanin. (Qeveriset nga LDK , AAK dhe partnerë të tjerë të vegjël).
Veseli dukej se synimin për të qenë i pari i partisë, për të qenë kudo subjekti më i votuar, e ka marr tepër seriozisht dhe ka kërkuar nga të gjithë strukturat dhe anëtarësia e komunave të Anamoravës që jo vetëm ta ruajnë njëri tjetrin, por edhe të zgjerohen dhe të fitojnë në zgjedhjet e radhës. Ai tha se le ta harrojnë dikush se Gjilani do të jetë zorrë qorre, por se me PDK-në do të jetë me perspektivë . Fokusi i Veselit ishte pothuajse kryekëput në zhvillimin ekonomik.
Për, të zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet dhe përmendi projekte të rëndësishme për këtë anë që janë duke u kryer e do të kryhen falë PDK-së. “PDK do të vazhdojë profilizimin e saj, do t’i intensifikojmë projektet tona që përmes tyre edhe Gjilanit t’ia japim perspektivën e një komune me zhvillim ekonomik”, ka thënë Veseli.
Ai ka folur edhe për rolin e rëndësishëm të diasporës, duke qenë se rajoni i Anamoravës njihet për emigracion të lartë.
Ai ka thënë se i janë mirënjohës mërgatës për kontributin vendimtar në të kaluarën dhe beson se ajo mund të luaj një rol të rëndësishëm edhe në të ardhmen e vendit. Diaspora, sipas tij mund të shërbejë si motor i zhvillimit dhe hapjes së vendeve të punës në duke sjellë investime, duke shtuar eksportet nëpërmjet konsumit të prodhimeve, duke u përpjekur për kthimin e trurit si dhe duke nxitur turizmit patriotik në Kosovë.
Mbështetje të PDK-së së Anamoravës për Kadri Veselin, kërkoi edhe anëtari i kryesisë qendrore Enver Hoxhaj i cili ka folur për atributet, virtytet dhe cilësitë e Kadri Veselit duke e konsideruar njeri të qëlluar që do të vije në krye të PDK-së, e se Gjilani(PDK-ja) ia konfirmon mbështetjen për të qenë në krye të partisë, ia tha edhe Zenun Pajazit, kryetar i Degës.
Përndryshe, Zenun Pajaziti ka potencuar se strukturat e partisë me kënaqësi e pritën takimin me kandidatin për kryetar të PDK-së Kadri Veseli për arsye që PDK si parti e para në vend po tregon se është e përgatitur edhe për fitore të reja.
“PDK në vazhdimësi ka treguar pjekurinë e saj politike edhe në faza tranzicioni siç është tash në zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së. Ne sot nuk kemi si të mos e përmendim liderin historik të PDK-së Hashim Thaçi, një figurë unifikuese, simbol I çlirimit dhe pavarësisë si dhe shtet ndërtues, që së bashku me kryetarin në ardhje Kadri Veseli janë meritorë për shumë procese dhe fitore të PDK-së ka deklaruar kryetari I Degës Zenun Pajaziti. /2L ONLINE/