Në fshatin Pogragjë të Gjilanit, u vendos pllaka “Shtëpia Bazë e UÇPMB-së”, në shtëpinë e Ymer Latifit, për të treguar kështu mirënjohjen e thellë për këtë familje për kontributin e dhënë përgjatë luftës së UÇPMB-së, në të gjitha format, duke përfshirë këtu edhe vënien e shtëpisë në shërbim të luftës, përkatësisht për Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ushtarët e saj, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ish zëdhënësi politik i UÇPMB-së, Shaqir Shaqiri ka thënë se sot po e vëmë një pllakë me të cilën po e etiketojmë një shtëpi si bazë e logjistikës së UÇPMB-së, pra sot shtëpia e intelektualit Ymer Latifi, po nderohet si “Shtëpia Bazë e UÇPMB-së”, me qëllim që gjithmonë të përkujtohet si një shtëpi bazë e veprimtarisë logjistike dhe ushtarake që ishte vënë në shërbim të ushtarëve të lirisë.
Ai tha se kjo shtëpi para se të bëhet bazë e UÇPMB-së, dikur ishte vënë në shërbim edhe të luftës së UÇK-së, dhe jo vetëm kaq, pasi nga kjo shtëpi iu bashkuan UÇK-së, vëlla e motër Resul dhe Shadije Latifi. Por, siç u shpreh Shaqiri, për shkak të situatës së krijuar në Luginën e Preshevës dhe luftës që filloi për çlirimin e asaj Kosove të paçliruar, kjo shtëpi shumë shpejtë mori edhe misionin tjetër kombëtar, u shndërruar në vendtakim dhe strehë për ushtarët e lirisë, u shndërruar në pikë orientimi dhe bazë e armatimit për UÇPMB-në.
“Prandaj ish Shtabi i Përgjithshëm i UÇPMB-së, dhe komandanti i saj, Shefket Musliu, morën vendimin e duhur, që në këtë shtëpi të vënë pllakën “Shtëpia Bazë e UÇPMB-së”, me qëllim të bartjes së kujtimit te gjeneratat që na pasojnë, për luftën e UÇPMB-së, peripecitë dhe sakrificën që e bënë ushtarët e lirisë, mbështetjen që populli i dha asaj lufte dhe për amanetin që duhet përfunduar”, ka thënë Shaqir Shaqiri, ish zëdhënësi politik i UÇPMB-së, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Në emër të familjes Latifi, fjalën e mori Shkëlqim Latifi, i cili ka falënderuar të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ditë të shënuar për këtë familje që është respektuar me vendosjen e kësaj pllake përkujtuese e kontributit të dhënë.
“Dua ta ndajë gëzimin dhe krenarinë që ne si familje, sot po e përjetojmë me vendosjen e kësaj pllake që shërben për kujtim për brezat e ardhme”, ka thënë ai, transmeton Portali 2lONLINE.com.
Përndryshe, pllaka “Shtëpia Bazë e UÇPMB-së”, solemnisht u zbulua nga Nazmi Hajredini, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇPMB-së. Ish ushtarja Shadije Latifi dhe Faik Jonuzi, baba i dëshmorit të kombit, Sherif Jonuzi, ushtarit të UÇPMB-së, të rënë në altarin e lirisë. /2LONLINE.com/