Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Administratës, Brikenë Ramabaja, shefin e kabinetit, Meriton Ramabaja, dhe zyrtarin nga Drejtoria Komunale e Arsimit, Drilon Ramabaja, për festën e 7 Marsit kanë vendosur pllaka përkujtimore dhe kanë ndarë mirënjohje për familjet që shndërruan shtëpitë e tyre në shkolla gjatë viteve të ‘90-ta.
I pari i komunës duke ua uruar festën e 7 Marsit, ka thënë se mësuesit ishin në ballë të rezistencës.
“Nuk ka komb pa gjuhë amëtare. Nuk ka triumf pa sakrificë. Për këtë, sot nderuam të gjithë ata që shndërruan shtëpitë e tyre në shkolla gjatë rezistencës së shqiptarëve ndaj politikave shtypëse të Serbisë që ndaloi mësimin shqip. Në Ditën e Mësuesit, vendosëm pllaka përkujtimore në shtëpitë shkolla, kryefamiljarët e të cilave kishin hapur dyert në vitet e nëntëdhjeta për nxënësit shqiptarë. Vitet e 90-ta ishin vite të vështira për Kosovën. Mësuesit ishin në ballë të rezistencës. Prandaj, në këtë ditë ndava mirënjohje për familjet që lëshuan shtëpitë e tyre që të vazhdojë mësimi”, është shprehur ai.
Kryetari Kastrati ndër të tjera ka thënë se në të gjitha shtëpitë shkolla do të vendosen pllaka të tilla.
“Pllaka të tilla do të vendosen në të gjitha 23 shtëpitë shkolla në Komunën tonë. Urime 7 Marsin të gjithë mësuesve”, shtoi ai.
Po ashtu, Kastrati mori pjesë edhe në garat recitale të organizuara për nder të 7 Marsit për nxënësit e nivelit fillor dhe të mesëm. /2LONLINE.com/