Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Kosovës, përshëndetën miratimin e vendimit për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në kazermën „Adem Jashari“ të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), sot për vizitë ishte kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ku së bashku me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, Drejtorin e NALT-it gjeneral Frank Best dhe stafin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, iu adresuan oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve, pas miratimit nga deputetet e Kuvendit të Kosovës të vendimit për pjesëmarrjen e FSK-së në misione ndërkombëtare paqeruajtëse në kuadër të ushtrisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), konkretisht me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Kryeministri Hoti, para ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së dhe stafit të lartë të Ministrisë të Mbrojtjes, pos tjerash tha: „Një fillim i mbar i vitit me këtë vendim. Për vendime të tilla duhet distancë e caktuar kohore për të rezonuar dhe kuptuar plotësisht se sa të rëndësishme janë. Vendimin që e mori Kuvendi i Kosovës, është ndër hapat më të mëdhenj historikisht që e kemi bërë si shtet dhe si FSK, drejt integrimit të plotë të FSK-së, në strukturat euro – atlantike. Të jesh krah partnereve tanë për ruajtjen e paqes, ku pak popuj në botë si qytetarët e Kosovës e din se sa e rëndësishme është kjo”.
Në fjalën e tij, ministri Quni, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: „Si Ministër i Mbrojtjes, ndjehem i privilegjuar, të jam sot në këtë takim për të ndarë bashkërisht emocionin e ngjarjes më të madhe që nga legjitimimi i mandatit ushtarak të FSK-së para dy vitesh, pra vendimit historik të djeshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit“.
Ministri Quni, me këtë rast ka vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizimin e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, i cili ka rezultuar me këtë sukses të jashtëzakonshëm: „Ju, me rezultatet e jashtëzakonshme të arritura në qendrat dhe institutet profesionale, akademitë ushtarake e kolegjet e luftës, keni dëshmuar nivel të lartë të kulturës e dijes akademike ushtarake para aleatëve tanë si garanci e fuqishme se dini dhe mund të realizoni detyra planifikuese shtabore, si dhe ato të komandimit e drejtimit strategjik të forcave e njësive operacionale“.
Në fund, ministri Quni, me theks të veçantë ka falënderuar bashkëpunimin e ngushtë dhe të shumanshëm me SHBA-të. „Besimi i SHBA-së, aleatit tonë të natyrshëm e shton edhe më shumë vlerën e kësaj të arriture historike. Ne me forcat amerikane jemi ndjerë gjithmonë NJË. Tani me forcat amerikane, përveç zemrave e mendjeve do t ‘i kemi NJË edhe trupat e armët tona në misionet e shenjta në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit për mbarë njerëzimin.
Ky është misioni ynë drejt përmbushjes së vizonit tonë për integrimin në NATO, respektivisht familjen euroatlantike, aty ku kemi qenë historikisht me qenien e identitetin tonë mijëvjeçar“.
Ai e përmbylli fjalën e tij, me urimin: „Urime e na priftë e mbara në sukseset tona të reja“! /2LONLINE.com/
……