Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi përmes një postimi në profilin e tij, ka vlerësuar se është vendim pozitiv buxhetimi prej 2 milion euro për Luginën e Preshevës në Projektligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Por, Kamberi ka kërkuar që buxhetimi i Luginës nga Republika e Kosovës të shoqërohet me hartimin e një Plani dhe Programi shtetëror dhe funksionalizimin e një organi qeveritar
Postimi i plotë:
Buxhetimi i Luginës nga Republika e Kosovës të shoqërohet me hartimin e një Plani dhe Programi shtetëror dhe funksionalizimin e një organi qeveritar
Vendim pozitiv buxhetimi prej 2 milion euro për Luginën e Preshevës në Projektligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Plotësimi i kësaj kërkese dhjetëvjeçare të përfaqësuesve institucional dhe politik të Luginës së Preshevës është i rëndësishëm sepse shmang vendimet ad hoc qeveritare.
Më e rëndësishme se shuma financiare është qasja shtetërore dhe institucionale, si në rastin e buxhetimit shtetëror.
Besojmë se ky buxhetim do të shoqërohet me hartimin e një Plani dhe Programi shtetëror së bashku me të zgjedhurit e Luginës së Preshevës, si dhe me funksionalizimin e një organi qeveritar për Luginën e Preshevës.
Këto janë politika dhe praktika që zbatohen nga shtetet demokratike dhe anëtarë të Bashkimit Evropian. /2LONLINE.com/