Kandidati i Aleancës Kosova e Re, z. Vehbi Salihu, të mërkurën në mbrëmje ka shpalosur platformën e tij zgjedhore në praninë e kryefamiljarëve të Lagjes Deremahallë – njërës prej lagjeve më të vjetra dhe më me qytetit të Gjilanit.
“Pata kënaqësinë të takohem me kryefamiljarët e Deremahallës – njërës prej lagjeve më me traditë në qytetin e Gjilanit – për të shpalosur zotimet e mia si anëtar i Kuvendit. Mora mbështetjen dhe zotimin e tyre për mbështetje të pa rezervë, por edhe pikëpamjet dhe nevojat e tyre për shërbime më cilësore dhe qeverisje më të mirë”, ka thënë Salihu.
Ai shtoi se aty ka elaboruar pikëpamjet e tij për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, investimet kapitale, zhvillimin e strukturuar të infrastrukturës, por edhe pikëpamjet e përgjithshme për zhvillimin e një administrate komunale të aftë që të zbatojë praktikat e një qeverisje të mirë dhe demokratike.
“Do të angazhohem për një model të ofrimit të shërbimeve publike që bazohet në profesionalizëm, përfaqësim, pjesëmarrje qytetare, efikasitet, transparencë dhe llogaridhënie”, ka thënë Salihu duke shtuar se pjesëmarrja qytetare në të gjitha fazat e ofrimit të shërbimeve publike është thelbësore për garantimin e cilësisë së shërbimeve.
“Mbikëqyrja dhe vlerësimi juaj janë parakusht për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në ofrimin e shërbimeve komunale”, ka thënë tutje ai.
Të pranishmit me këtë rast kanë shprehur zotimin e tyre për mbështetje të pa rezervë të platformës zgjedhore të Vehbi Salihut.
Sponsorizuar nga AKR