Njëmbëdhjetë foshnja të sapolindura gjetën vdekjen në spitalin e Rabta në Tunizi, ku nga të dhënat paraprake dyshohet se gjithçka ka ndodhur për shkak të një infeksioni.
Pas kësaj ngjarje të rëndë, ministri i Shëndetësisë Abderraouf Cherif, dha dorëheqjen.
Ndërkohë Kryeministri Youssef Chahed, e pranoi dorëheqjen e ministrit dhe kërkoi nisjen e një hetimi të thelluar për të zbuluar shkaqet e vdekjes së foshnjave.
Fëmijët ndërruan jetë në datat 7 dhe 8 mars si pasojë e një infeksioni. Dyshohet se infeksioni mund të jetë shkaktuar nga një medikament venoz, i cili përdoret zakonisht tek fëmijët që vijnë në jetë para kohe.
Paraprakisht dyshohet se ky produkt ushqyes, ishte i skaduar. Të paktën kështu rezulton nga analizat e para të kryera tek foshnjat.