/Në moshën 70-vjeçare ka ndërruar jetë Nuhi Nuhiu, ish-drejtor komunal në Gjilan, kanë bërë me dije familjarë të të ndjerit/
Nga: VETON NEVZADI
E ftohtë si moment, ndjehemi jo mirë kur shohim tek vdes dikush, megjithatë për njerëz si agja Nuhë prekim një tjetër shkëputje, ndjejmë një tjetër braktisje, përjetojmë një tjetër vetmi.
Herën e kaluar që e takova ishte ne kafenen e fshatit me moshatarët e tij. Ju mora lakmi sepse tavolina e tyre vlonte nga humori dhe te qeshurat.
I thash edhe atij se mbase tipi i shoqërisë së gjeneratës se tyre është me ´BIO‘, prandaj flisni, qesheni e kënaqeni me jetën me shumë se krejt këta të rinj tjerë që ulen në heshtje në tavolinë, ndërsa komunikimin e bëjnë me krejt dikë tjetër.
Ishte i lidhur shume me Përlepnicën. Deri dje, Përlepnica ka qenë kryefjala dhe kallxuesi i secilës bisedë të tij. Unë nuk e ndjeja dallimin në moshë me të sepse ai ishte në gjendje të kuptonte evoluimin e gjeneratave, prandaj sa herë që e takoja, me humor e thërrisja: si je o perlepnico-centrist?!
Mire që e pa të finalizuar `Monografinë për të burgosurit dhe mësuesit e fshatit në te cilen punoi me përkushtim. Kohëve të fundit ishte i opsesionuar me krijimin e dëshmive materiale (te shkruarit e historisë) për Përlepnicën dhe kishte të drejtë.
Si ekonomist me një karrierë të gjatë, e vuajti në heshtje largimin e padrejtë nga puna pas rreth dy dekadash në Komunën e Gjilanit. Ishte viktime e një mentaliteti politik që njerëzit i shikonte vetëm në dritën partiake e jo profesionale, prandaj vitet e fundit para pensionimit u detyrua qe ti ngrysë padrejtësisht në shtëpi.
Do të na mungojë gjatë humori i mprehte i tij dhe aktivizmi shoqëror qe nuk e ndali deri dje.
U prehsh në paqen e përjetshme, agja Nuhë!