“Patrullat policore, po vijojnë të jenë shumë aktive në realizim të planeve operative me qëllim të zbatimit dhe respektimit të masave anti COVID të marra nga institucionet e vendit e të cilat po zbatohen nga policia në koordinim e bashkëpunim me institucione relevante”, thuhet në një komunikatë të policisë.
Nëpër tërë qytetet e Kosovës, në tërë territorin e vendit, gjatë tërë kohës 24/7, vërehen patrullime të shtuara policore që synim parësorë pos ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjes së pronës, e kanë edhe zbatimin e masave parandaluese ndaj pandemisë dhe respektimin e Ligjit anti COVID-19.
Përndryshe, sipas raportit policor vetëm brenda 24 orëve të fundit janë shqiptuar 883 gjoba për qytetarët të cilët nuk i kanë respektuar masat e marra nga institucionet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Referuar të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), numri total i rasteve pozitive është 105.188 raste nga 533.764 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.173 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 646 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 94.174 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.841. /2LONLINE.com/