Të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luhet ndeshja e kthimit në mes të FC Drita dhe FC Viktoria Plzen, e vlefshme për kualifikim në Ligën e Konferencës. Ndeshja e parë ka përfunduar pa gola.
Në një konferencë për media, trajneri i skuadrës gjilanase, Akis Vavalis ka thënë se nesër do të takohen përsëri me ekipin e Viktoria Plzen dhe do të jetë një ndeshje mjaftë e vështirë.
“Sa i përket bindjes time, do te jete një ndeshje edhe më e vështirë se që e kishim në Çeki. Pas ndeshjes se parë kemi një rezultat pozitiv po kemi edhe një ndeshje dhe kjo nuk do te thotë asgjë. Kemi pasur kohë të përgatitemi mjaftë, do të luftojmë për shanset tona”, ka thënë Vavalis.
Timonieri i Dritës, tha se në përgjithësi është i kënaqur me lojtarët për ata çka kanë dhënë në fushë, në ndeshjen e parë, por pret që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe nesër.
“E di që ekipi i Viktoria Plzen është favorit siç ka qenë edhe në ndeshjen e parë, por mendoj që do te jemi në përparësi të vogël për shkak të fushës si vendas dhe mbështetjes së madhe që do të na japin tifozët tanë nga minuta e parë deri në fund. Pavarësisht se çka do të ndodhë në ndeshjen e nesërme, jam shumë i lumtur për lojtarët e mi dhe e di që pavarësisht rezultatit ne do ta japim gjithçka në fushë për klubin dhe të gjithë tifozët”, ka thënë trajneri Vavalis.
Ndërsa, lojtari Muharrem Jashari tha se e kanë ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë në Plzen dhe ashtu ndodhi, por pavarësisht qe kanë marr një rezultat pozitiv, nesër e kanë edhe një ndeshje të vështirë.
“Shpresojmë shumë që gabimet të cilat i kemi bërë në atë ndeshje mos t’i përsërisim sepse kemi punuar gjatë gjithë javës dhe kjo ndeshje besoj të jetë me fat pë ne”, ka thënë Jashari.
Ndeshja luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ora 20:00. /2LONLINE/