”Doktor Ilazi’, ky ishte emri me të cilin shqiptarët nga Gjilani, Presheva, Bujanoci e Medvegja e njihnin Ilaz Selimin.
Lëvizja Qytetare Vatra vlerëson se Malësia e Bujanocit ka kontribuar për shqiptarët e Kosovës në shumë sfera të jetës përmes veprimtarëve të ndritur si doktor Ilazi. Në Republikën e Kosovës e veçanërisht në qytetin e Gjilanit ku tashmë jetojnë 80 % e shqiptarëve nga malësia e Bujanocit, asnjë institucion nuk është emëruar me emrat e ndonjërit nga figurat e shquara të malësisë së Bujanocit, veprimtaria e të cilëve ishte humane dhe pa dallime, nuk njihet kufi.
“Në kohërat kur shqiptarët në Gjilan, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë nuk mund të gjenin ndihmë në mjekët serb e të huaj, ishte doktor Ilaz Selimi ai i cili luftonte kundër turbekulozit dhe malaries si sëmundje që masakronin shqiptarët në këto troje. Ajo që më së paku mund të bëjmë për t’i falënderuar këta veprimtarë të cilët jetën e tyre e sakrifikuan për ne, është emërimi i një institucioni me emrin e tij”, shprehet Fikri Mehmeti, zëdhënës i Lëvizjes Qytetare Vatra.
Vatra kërkon që së paku një shtëpi e shëndetit të emërohet me emrin e veprimtarit, humanistit, mësuesit, doktor Ilaz Selimi, duke besuar se e kemi obligim moral që ta njohim kontributin e atyre që u vetësakrifikuan që ne sot ta shijojmë lirinë dhe të jetojmë më mirë.
“Tashmë ekzistojnë libra dhe shkrime për jetën dhe veprimtarinë e dr.Ilaz Selimi, mirëpo kontributi i tij është i një dimensioni më të gjerë e më të madh dhe nuk mund të përfundon vetëm brenda një libri. Emërtimi i një institucioni shëndetësorë me emrin e dr.Ilaz Selimi njëherësh është nderë dhe privilegj për çdo qytetarë nga malësia e Bujanocit që tash e 20 vite kontribuon për ndërtimin e Republikës së Kosovës e veçanërisht qytetin e Gjilanit’, thotë Mehmeti i Vatrës.