Gjilanit i mungon trafiku urban, e Lëvizja Qytetare “Vatra” e bënë përgjegjëse pushtetin në Gjilan, ndërkohë që për kreun e Komunës, Lutfi Hazirin, ka një porosi që mos të merret shumë me Prishtinën e t’i kthehet Gjilanit, sepse Prishtina e ka të rregulluar moti këtë çështje.
Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes “Vatra”, thotë se qyteti i Gjilanit është një qytet i madh dhe me tendencë për rritje të numrit të banorëve. “Kjo rritje e numrit të banorëve ka bërë që të ketë edhe një rritje të madhe në shtrirjen gjeografike të Gjilanit si qytet. Si rrjedhojë e kësaj rritje ky qytet dhe këta banorë po e ndiejnë me të madhe nevojën për transport urban, por fatkeqësisht përpilimi i këtij projekti po shtyhet në vazhdimësi nga kryetari i komunës se Gjjlanit z.Lutfi Haziri”, thotë Kadriu, transmeton 2LONLINE.com.
Ai e vlerëson se është e padrejtë që qytetarët për distanca të vogla t’u paguajnë çmime të larta taksive për shkakun e mungesës së transportit urban, i cili do t’u kushtonte shumë më lirë qytetarëve.
“Shtrohet pyetja, pse nuk po bëhet trasporti urban, a ka ndonjë arsye të qëndrueshme që nuk po bëhet? Apo, mos ndoshta kryetari u ka premtuar kompanive të taksive se nuk do ta bëjë transportin urban në këmbim të mbështetjes së këtyre të fundit?!”, shton tutje Kadriu.
Sipas tij, themelimi i transportit urban do ta çlironte qytetit nga komunikacioni i ngulfatur, për shkak të mungesës së rrugëve dhe mungesës së parkingjeve, gjithashtu do ta përmirësonte edhe cilësinë e ajrit shumë të ndotur në qytet.
“Kryetar, zgjohu, mos pritë lutë, mos u merr me Prishtinën. Prishtina e ka rregulluar moti këtë çështje”, përfundon reagimi i Vatrës, përmes kreut të saj, Kushtrim Kadriut.