(2LONLINE) – Në komunën e Gjilanit, të cilës i përkasim edhe ne, janë ndërtuar shumë shkolla fillore dhe të mesme dhe se ato duhet të pagëzohen, madje ndonjërës edhe t’i ndërrohet emri, ka thënë kryetari i Lëvizjes”Vatra”, Sejdulla Kadriu.
“Nëse i analizojmë biografitë e emrave që i bartin shkollat e ndërtuara më herët, për kohën e sotme, mund të themi se ndonjëra ka emër të papranueshëm ngase janë emra që iu kanë përshtatur kohës dhe momenteve të caktuara, madje edhe ideologjike. Ndërsa, tani kur mund të mendojmë dhe të flasim shtruar, këto emra mund të zëvendësohen me emra të kohëve më të reja, dhe që kanë një biografi të pastër kombëtare. Ndërsa kur të kremtojmë ditën e shkollës së caktuar, të kemi çka t’u themi nxënësve dhe gjeneratave të reja, e jo të përpiqemi të gënjejmë edhe veten edhe të tjerët”, ka thënë Kadriu.
Sipas tij, dihet se shkolla shqipe, në çdo periudhë, nga Rilindja Kombëtare deri te vitet 90’ kur edhe shtëpitë u bënë shkolla, edhe gjatë luftës së UÇK-së, ka luajtur sa rol edukativ, aq edhe kombëtar, andaj dëshmorët dhe ata që kanë kontribuar ( edhe në ngritjen dhe zhvillimin e arsimit shqip) në periudha të ndryshme për këtë ditë që ne e gëzojmë, t’i kujtojmë dhe t’u shpjegojmë gjeneratave të reja se liria nuk piku nga qielli, por dikush ka sakrifikuar gjithçka (jetën, masakra), dikush shumëçka (burgun, luftën, ), dikush diçka (lekun, mundin) e dikush asgjë!Për të pasur dëshmi të bollshme se çka të themi në momente festive për “x” shkollën, duhet të zgjidhen emra me biografi të pastër kombëtare, stolisur me vepra që u lënë trashëgim brezave.
‘Duke pas parasysh se veprimtarët e qështjes kombëtare, asnjëherë nuk kanë shikuar kufijtë administrativ që na i kanë imponuar të tjerët, propozoj që një shkollë në Qytetin e Gjilanit të emërtohet me një figurë që ka prejardhje nga Kosova Lindore. Them kështu edhe nga fakti se një numër i madh i qytetarëve që tani jetojnë në Komunën tone, kanë prejardhje nga po këto troje, andaj konsideroj se qyteti i Gjilanit duke nderuar figurat kombëtare që s’kanë lindur këtu, por kanë vepruar kombëtarisht, e nderon veten, por edhe jep mesazh të mirë te të gjithë ata që mundohen të bëjnë ndarje të figurave të merituara”, ka thënë Kadriu i Vatrës, për të shtuar se një emër nderi dhe respekti do të ishte, jo vetëm për komunën e Gjilanit, por për tërë Anamoravën e më gjërë. /2lonline/