(2L ONLINE) – Lëvizja “Vatra” me seli në Gjilan kërkon bartjen e një pjese të aktiviteteve të flakës së janarit nga Gjilani për në komunat e Kosovës Lindore. Përfaqësues të “Vatrës”, kërkojnë bashkëpunim mes institucioneve kulturore të Komunës së Gjilanit dhe atyre të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjithashtu kërkon që aktivitetet kulturore tash e tutje të bëhen në koordinim mes këtyre komunave gjegjësisht njësive për kulturë pranë tyre.
Këtë kërkesë Lëvizja “Vatra” e ka bërë përmes anëtares së saj në Komitetin për Kulturë, Rini ,Sport dhe Çështje gjinore Gentiana Shabani e cila i ka shtruar kërkesat e saj në mbledhjen e këtij komiteti.
Gentiana Shabani, anëtare e Kryesisë së Lëvizjes “Vatra”, thotë se manifestimet kulturore të cilat mbahen në datat e shënuara të Komunës së Gjilanit dhe atyre në komunat e Kosovës Lindore të bashkërendohen në mes vete dhe të ftohen që të jenë pjesëmarrës edhe shoqatat kulturore-artistike, klubet sportive nga Kosova Lindore dhe ato nga Gjilani të shkojnë atje.
“Kërkesë esenciale për jetën kulturore në Kosovë Lindore do te ishe mbi të gjitha të bëhet bartja e një pjese të aktiviteteve të “Flakës së Janarit ” nga Gjilani për në Komunat e Kosovës Lindore. Ky bashkërendim i aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore do të krijoj një urë lidhëse mes Gjilanit dhe Kosovës Lindore , ku nëse arrihet të ndodhë kjo do t’i shërbente zhvillimit të jetës kulturore në komunat shqiptare të pushtuara nga Serbia e që jeta kulturore, sportive dhe rinore është e zbehtë për të mos thënë se nuk ekziston fare”, ka thënë Gentiana Shabani. /2L ONLINE/