“Varg e Vi (VeV) ka realizuar së fundi një aktivitet të veçantë mbi trashëgiminë kulturore dhe historike, përmes formave rekreative-artistike dhe multimediale, duke e vënë në fokus, Kalanë e Pogragjës”, ka bërë me dije Avni Shkodra, koordinator i Varg e Vi-së.
Sipas tij, u ftua audienca në mënyrë publike nga faqja zyrtare e VeV-it për të siguruar ftesat, me numër të kufizuar për shkak të masave antipandemi dhe numrit të kufizuar të kufjeve wireless.
Audienca iu përgjigj ftesës, duke u takuar tek ura mbi Moravë dhe poshtë Kalasë së Pogragjës dhe rrjedhjes së lumit Llapushnica, duke parë tabelën për informim rreth historikut të shkurtër të kalasë, bazuar në të dhënat e databazës së trashëgimisë kulturore të Kosovës, tabelën për orientim si sinjalistikë vertikale për vizitorët, me shigjetën për t’u kthyer për kala, me tri tabela që simbolizojnë tri rrugët e rëndësishme në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme të kohës së Kalasë së Pogragjës, si: Ulpianë, Shkup dhe Nish, duke i lënë me emra të vjetër, për të krijuar emocion të veçantë te vizitorët.
Avni Shkodra, koordinator i VeV-it, ka deklaruar se, “qëllimi i aktivitetit ishte promovomi, ruajtja dhe kujdesi ndaj trashëgimisë kulturore-historike dhe kthimi i vëmendjes për te Kalaja e Pogragjës, e cila nuk e ka ende mirëmbajtjen e duhur dhe ende nuk e ka numrin e kënaqshëm të vizitorëve”.
Në kuadër të aktivitetit, audienca ka dëgjuar audiodokumentarin me autor Avni Rudakun, narrator Ridvan Hamzën dhe audioinxhinier Valdrin Halimin, me bazë shqyrtimin e literaturës, intervistat me ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe respodentë të profileve të ndryshme. Në audiodokumentar tregohet për kalatë, historikun e kalave dhe qëllimin e ndërtimit të tyre nëpër periudha të ndryshme historike, me theks të veçantë në historikun e Kalasë së Pogragjës, memorien kolektive e individuale të vizitorëve në kala prej viteve të ’70-ta të shekullit të kaluar e deri më sot.
Audienca gjatë ecjes dhe ngjitjes për në Kalanë e Pogragjës, ka parë instalimet funksionale të artistit bashkëkohor Din Azizit për trashëgiminë kulturore, ndërsa tërë aktiviteti është regjistruar nga droni prej fotografit të mirënjohur të botës së egër dhe të pasionuarit në natyrë, Arian Mavriqit, dhe fotografit kreativ Migjen Fazliut. Projektin “Kalaja e Pogragjës” e ka mbështetur financiarisht Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës.
VeV në konceptin e saj, ka deklaruar se, përmes këtij projekti, i kthehet trashëgimisë kulturore e historike, përkatësish Kalasë së Pogragjës, si dhe na thërret të mbrohemi nga armiku i sotëm: vetja jonë. Ne tash duhet ta mbrojmë trashëgiminë tonë më së shumti nga neglizhenca, shpërfillja dhe amatorizmi ynë. Nga vetja jonë.
Video e projektit “Kalaja e Pogragjës” mund të shikohet në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=NQ_lqYXCJpU&t=1s