Organizata kulturore “Varg e Vi” nga Gjilani ka adresuar tri çështje që kanë të bëjnë me fushën e artit dhe kulturës, në Komunën e Gjilanit, e ku njëra ndër to për të cilat pati kritika ishte edhe ajo që ka të bëj bëj me thirrjen e fundit publike të Komunës për subvencionimin e aktivitetit artistik në Gjilan për OJQ-të kulturore, në të cilat hyn edhe Varg e Vi.
Avni Shkodra ,drejtor ezekutiv në këtë organizatë ka thënë se kjo thirrje është publikuar me 28 Gusht 2020 dhe afati për aplikim ka qenë deri me datë 17 Shtator 2020. Në thirrje thuhet që projektet duhet të fillojnë nga muaji Tetor 2020 dhe të përfundojnë brenda këtij viti. Pra sipas këtyre kritereve, Komuna është dashur, që brenda Shtatorit t’i kryej të gjitha procedurat, përzgjedhjen e projekteve dhe transferimin e mjeteve, në mënyrë që Tetori t’i nxë organizatat të përgatitura për punë.
Shkodra thotë se kjo gjë nk ka ndodhur dhe ne edhe pse jemi përkrahur me një projekt, ne kemi nënshkruar kontratën me datë 29 Tetor, pra një muaj me vonesë, sipas thirrjes.
Ai bëri me dije se organizata Varg e Vi, ka aplikuar në këtë thirrje, me dy projekte, aq sa kemi pasur të drejtë të aplikojmë.
“Ne mendojmë që shpërndarja e mjeteve “Për të gjithë nga pak”, nuk përputhet me kriteret e thirrjes publike, meqë aty nuk ceket që Komuna rezervon të drejtën që të subvencionojmë më pak mjete se sa që janë kërkuar nga aplikuesi. Pra, ne nga praktika e përkrahjes nga fondet e Bashkimit Evropian, çdo here, kur ata na kanë subvencionuar, projektin e kanë përkrahur me aq sa i kemi kërkuar, ose nuk na kanë përkrahur fare”, ka thënë tutje Shkodra, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, kjo qasja “Për të gjithë nga pak”, lind dyshime për vlerësimin e projekteve, jo sipas kritereve të shkruara, por sipas preferencave personale dhe spektakleve mediatike.
“Thirrja publike, nuk është sikur pakot emergjente, ku të gjithë përfitojnë ngapak. Aty garohet me projekte, përndryshe nuk ka kuptim që ne t’i shkruajmë projektet, sepse do mundi dhe angazhim shkrimi i një projekti. Në këso raste, Komuna mund të na thotë, na e dërgoni konton dhe numrin fiskal dhe ne,të gjithëve do t’ua transferojmë nga kaq mjete, dhe me ato mund të bëni çfarëdo aktiviteti”, shprehet Shkodra, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se nga biseda private që ka pasur me dy përfaqësues të dy organizatave të ndryshme, i kanë thënë që janë përkrahur financiarisht më shumë se sa Varg e Vi. Varg e Vi është organizata më e madhe kulturore në Komunën e Gjilanit, me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të realizuar një projekt profesional dhe të nënvlerësohemi në këtë mënyrë, tregon për një injorancë të Drejtorisë për Kulturë dhe mosdije e jo profesionizëm nga komisioni për vlerësimin e projekteve.
“Shqetësim tjetër është se në komisionin për vlerësimin e projekteve kulturore, nuk ka qenë asnjë profesionist i fushës së artit, dhe kjo tregon se ne jemi vlerësuar apo nënvlerësuar nga njerëz jo adekuat nga ky komision. Ne i bëjmë thirrje Komunës tonë, në këtë rast Drejtorisë për Kulturë, që të jenë serioz në menaxhimin e parasë publike dhe gjithashtu i ftojmë organet e rendit që ta hetojnë procesin e vlerësimit të projekteve”, ka thënë Shkodra.
Ai shtoi se si organizatë, në vitin 2013 i kishin kërkuar kryetarit aktual Haziri, që Drejtori i Kulturës të emërohet në konsultim me komunitetin artistik, të cilin zotim edhe e ka nënshkruar, por që nga ajo kohë në Gjilan, nuk kemi pasur një Drejtor të denjë Kulture, dhe prandaj ndodhin edhe këto absurditete që na e ofendojnë dinjitetin tone artistik e qytetar. Kërkesa për një Drejtor adekuat kulture ende mbetet në fuqi nga ana jonë.
Çështja tjetër, sipas Shkodrës, ka të bëjë me transferimin e Drejtorisë për Kulturë në objektet e Bibliotekës Fan Noli.
“Si Varg e Vi, kemi kërkuar takime me menaxhmentin e Bibliotekës dhe Drejtoreshën për Kulturë, në lidhje me pengimin ose jo të leximit në Bibliotekë, me rastin e bartjes së Drejtorisë për Kulturë në këtë mjedis. Menaxhmenti na i ka shprehur shqetësimet e veta, duke treguar që pengohet leximi, ndërsa Drejtoresha na ka thënë që: Ne po dalim si staf i vogël në Bibliotekë, por që nuk do të pengohet leximi”, ka thënë ai.
Shkodra tha tutje se me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të kontratave për subvencionimin e projekteve, në mjedisin e Bibliotekës ishin rreth 70 organizata që i nënshkruan kontratat dhe grumbullimi i kaq shumë njerëzve në Bibliotekë, na qon në përfundim që qëndrimi i Drejtorisë për Kulturë në Bibliotekë është pengesë për lexuesin, meqë edhe në të ardhmen mund të ketë këso grumbullime që e pengon leximin.
Në fund, Varg e Vi, kërkojmë urgjentisht që objekti i Bibliotekës të lirohet nga administrata e Drejtorisë për Kulturë, me arsyen e vetme, pra për mos pengimin e leximit.
Ndërsa, anëtari tjetër i “Varg e Vi”, Avni Rudaku (hulumtues), ka thënë se sa i përket Bibliotekës së qytetit në Gjilan, konsideron që Biblioteka e qytetit, pasi që është me objekt të ri, me hapësira të reja, ajo ka gëzuar të gjithë qytetarët e Gjilanit, e veçmas studentët, lexuesit. Prandaj, aty duhet vetëm të investohet dhe të mos pengohet apo mbingarkohet me asnjë zyre tjetër të ndonjë Drejtorie, pasi që biblioteka kërkon kushte të veçanta për shkak të qetësisë që i duhet çdo lexuesi.
Rudaku është shprehur se lexuesit këtu kanë nevojë për një digjitalizim sa më efikas të fondit të librave por edhe të pasurohen me libra fizik pasi që në shumë shkenca, në shumë lëndë, në shumë disiplina, mungojnë shumë libra. Pra, duhet të investohet në fondin e librave e lëre më që të mbingarkohet me një seli tjetër, me një zyre tjetër të një drejtorie siç është Drejtoria për Kulturë.
“Ne, po ashtu propozojmë, duke e njohur trashëgiminë kulturore në Gjilan, pasi që partitë politike i kanë uzurpuar disa objekte të vjetra, siç është objekti, apo kazerma, ish-kazerma e ushtrisë Osmane- mbi 100 vjet, e cila është pjesë e trashëgimisë kulturore por që shfrytëzohet nga partia e LDK-së, por edhe objektet tjera që shfrytëzohen nga PDK dhe partitë tjera në Gjilan. Duke e ditur që ekziston ligji mbi financimin e subjekteve politike, çdo parti duhet ta mendoj që degët e tyre, kur të bëhet shpërndarja e parasë nga partitë në qendër, ato para të shkojnë për qira apo prona apo aktivitete tjera, shpenzime tjera në degët e tyre partiake”, ka thënë më tej Rudaku, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, madje ka qenë edhe premtim, zotim i kryetarit aktual të Komunës së Gjilanit që këtë objekt ta liroj, pasi që ka qenë në fushatë dhe ka thënë që këtë objekt të trashëgimisë kulturore në Gjilan do ta liroj partia e tij dhe to të kalojmë në një objekt tjetër, dhe ky premtim ende nuk është realizuar.
“Po ashtu, ajo çka ka qenë shqetësuese për ne, tek ky objekt i trashëgimisë kulturore është edhe një mbishkrim në murin e poshtëm të kazermës, përballë Sahat Kullës së qytetit të Gjilanit, ku shkruan: “Liri,Pavarësi!”, e që ne e dimë se askush nuk ka të drejtë të intervenoj në objekte të trashëgimisë kulturore përveç ekspertëve të trashëgimisë kulturore, ata që restaurojnë, rindërtojnë, konservojnë e kështu me radhë. Prandaj, e shohim shumë të arsyeshme që ai objekt mund të shfrytëzohet nga Drejtoria për Kulturë por në asnjë mënyrë të mos intervenohet jashtë në eksterier, për shkak se ajo i takon trashëgimisë kulturore dhe duhet të shfrytëzohet në mënyrë kreative, vetëm ashtu siç është objekti, duke mos e cenuar vlerën e atij objekti i cili edhe ruhet edhe mbrohet”, thotë Rudaku i organizatës “Varg e Vi”.
Sa i përket aspekteve tjera të trashëgimisë kulturore, Rudaku thotë se një prej tyre që mund ta cekim e që vërehet që nuk ka dorë të Komunës, dorë të Drejtorisë për Kulturë është edhe Kalaja e Pogragjës.
Kalaja e Pogragjës e ka veçantinë e vet. Sidomos për faktin që daton, edhe siç shkruan në databazën e trashëgimisë kulturore të Kosovës, që është pjesë e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i takon shek.VI, madje janë gjetë monedha në shek.III. Dhe e vërejmë që aty është vetëm një bimësi e egër. Një bari i egër ku nuk ka shteg siç duhet për të vizituar.
Pastaj, mungon një koordinim, një organizim më i mirë apo një bashkëpunim i Drejtorisë për Arsim me Drejtorinë për Kulturë që të organizojnë vizita, pasi që e dimë se shumë nxënës të qytetit të Gjilanit thonë që asnjëherë nuk kanë qenë në Kalanë e Pogragjës.
“Pra, mjafton vetëm barin e egër ta presim në Kalanë e Pogragjës dhe të mund të ngjitemi atje, sepse është pjesë e trashëgimisë tonë kulturore”, thotë Rudaku në reagimin e tij. /2LONLINE.com/
https://www.facebook.com/vargevi/videos/360814541691163