Shkruan: Skender Berisha
S’do mend se ndryshimin e përgjithshëm në Kosovë e ka ndjerë secili që ka qenë i vetëdijshëm dhe i rritur për ta kuptuar atë.
Para luftës varfëria në përgjithësi në Kosovë kishte bërë që njerëzit të krijojnë një afërsi njerëzore, duke iu përshtatur një realiteti dhe duke i dhënë shpresë për një të ardhme se shumë shpejt do të bëhet mirë.
Si popull jemi shumë optimist, dhe dëshira për të qenë të lirë i kalonte dëshirat për të pasur të mira materiale.
Të gjithë që kanë kaluar një pjesë të jetës para luftës dhe që kanë qenë të preokupuar dhe të vetëdijshëm për sfidat e asaj kohe: thonë shprehimisht “edhe pse s’kem pas, jem kon të k’naqur”, sepse të gjithë e kanë ndjerë veten sfidues të sistemit, dhe ajo sfidë kërkon sakrificë, dhe në të njëjtën kohë kjo mungesë e të gjitha të mirave materiale dhe shpirtërore kalohej lehtë dhe me krenari.
Gjithashtu, qytetarët shqiptarë, sidomos të rinjtë e kohës, duke iu mbyllur çdo mundësi e zhvillimit, arsimimit dhe afirmimit të tyre, vendosin të linin vendin dhe të jenë sakrifica e parë e familjes, qëllimi i të cilit ishte mbijetesa. Në të njëjtën kohë kjo ikje e të rinjve e ndihmoi vendin në rrafshin ekonomik, dhe familjet në përgjithësi krijuan kushte dhe mundësi më të favorshme për ta kundërshtuar sistemin e atëhershëm shtypës dhe agresiv.
Kjo mërgatë doli të jetë shtylla e ndryshimit pozitiv dhe shumë e rëndësishme e kësaj çështje kaq thelbësore për vendin.
Ata ndihmuan vendin kur gjithçka po rrënohej. Edhe gjatë luftës ata sfidën nuk e ndalën.
Shumë prej tyre dhanë edhe jetën.
Sot, i kemi të mirat materiale dhe lirinë, dhe vendi po shpopullohet jo nga ata që kryenin represion, vrasje dhe dëbime me anë të sistemit, por nga vetë ne.
Ne iu kemi mbyllur derën rinisë së sotme, iu kemi marrë shpresat e tyre, iu kemi pamundësuar edhe të mendojnë mirë për vendin.
Kjo mundësi duhet të rikthehet, duhet rritur presionin ndaj njerëzve të cilët udhëheqin me vendin, duhet bërë me dije punëdhënësit se duhet ndryshuar trajtimin ndaj punonjësve, duhet të ndryshohet qasja negative e mediave dhe portaleve tona që paraqesin vetëm anët negative të këtij ndryshimi.
Duhet të fillojmë të mendojmë për të ardhmen e këtij vendi.
Duhet pozitivitet në këtë vend!
Ne jemi njerëz dhe është e natyrshme të gabojmë, por gabimet e tjetrit duhet t’i mbulojmë dhe të nisë një frymë e re dhe pozitive, sepse me të vërtetë ky vend është shumë i bukur dhe premtues, vetëm se duhet ta duam njëri tjetrin dhe t’i zgjasin dorën ashtu sikurse para luftës. /2LONLINE/