Sonte drejtuesja e Forumit të Gruas të LDK-së në Gjilan, dhe njëherazi deputetja e Kuvendit të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, i uroi mirëseardhje aderueseve të reja gra në LDK, në një takim mikpritës ndaj tyre. Ajo, në llogarinë e saj të fejsbukut, ka shkruar:
“Pas kërkesave të shumta për aderime të reja në strukturat e LDK-së, e sidomos në Forumin e Gruas së LDK-së, sot mirëpritëm dhjetra gra të devotshme, të cilat duan të bëhen pjesë e familjes së madhe shtetformuese e me vizion të qartë për komunën e shtetin – LDK-në.
Gratë vazhdojnë të jenë me besimin më masiv e më të palëkundur në LDK-në. Forumi i Gruas në Gjilan është bërë ura e bashkimit të potencialit më të mirë të grave, duke ofruar mundësi dhe shpresë për të gjitha pa dallim. Sonte pamë aq shumë aderuese të reja, thua se u krijua një nëndegë vetëm me të sapoardhurat, ngase numri i tyre ishte befasues! Sonte u konfirmua besimi në rritje në opinionin e gjerë publik se, vetëm me trenin e LDK-së, gra e burra, të rinj e të reja, mund të shkojnë në destinacionin e dëshiruar!
Ne jemi shtëpi e madhe si forum e parti, prandaj mirë se vijnë edhe aderueset e nesërme e të pasnesërme! Dera jonë gjithmonë mbetet e hapur për të gjitha gratë dhe për të gjithë qytetarët pa dallim!”