(2LONLINE) – Unioni i Studentëve Pro Europian ka dërguar kërkesë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Agjencisë së Akreditimit të Kosovës dhe Dekanatit të Fakultetit të Edukimit të UP-së për akreditimit e disa programeve të Fakultetit të Edukimit të UP-së.
Kërkesën të plotë po e paraqesim më poshtë:
Nisur nga fakti që studentët e regjistruar në vitin akademik 201112 dhe 201213, të cilët vijojnë studimet në programet lëndore të cilat nuk janë të akredituara në Fakultetin e Edukimit, edhe pse konkursi për pranim dhe procesi i regjistrimit të tyre ka qenë sipas dispozitave të kërkuara nga MASHT-i dhe UP-ja, ne si Union i Studentëve Pro Evropian (USPE) kërkojmë nga ju si institucione përgjegjëse që të shqyrtoni dhe të zgjidhni këtë çështje shumë të rëndësishme, dhe të rregullohet gjendje e cila është krijuar në Fakultetin e Edukimit, veçanërisht për studentët e këtyre programeve: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (BA); Gjuhë dhe Letërsi Angleze (BA); Fizikë – Kimi (BA); Biologii – Kimi (BA); Matematikë – Informatikë (BA); Teknologji- Informatikë (BA); Histori – Edukatë Qytetare (BA); Gjeografi – Edukatë Qytetare (BA).
Situata e cila është krijuar nga pakujdesia apo edhe ndonjë arsye tjetër, e organeve të lartëcekuara , ka bërë që studentët e vitit të II dhe III ( të programeve lëndore) të cekura më lartë, të ndodhen në një situatë shumë të vështirë, duke mos e ditur se çfarë do të bëhet me fatin e tyre të studimeve dhe punën që kanë realizuar tashmë që dy vite përkatësisht tri vite. Në bazë të gjendjes aktuale, diplomat e studentëve të regjistruar në këtë periudhë, nuk mund të jenë valide, për shkak të mos akreditimit të këtyre drejtimeve, dhe e tërë kjo ka ndodhur pa dijeninë e studentëve të cilët mendojmë se nuk duhet të pësojnë tash kur kanë kaluar 2 vite të studimeve përkatësisht 3, por të bëhet akreditimi i këtyre drejtimeve dhe të rregullohet statusi i këtyre studentëve të cilët më së paku janë fajtorë për këto manipulime që kanë ndodhur.
Kërkojme që kjo gjendje të rregullohet në favor të studentëve ose përndryshe do te marrim masa tjera, që nuk jane në favor të askujt. /2LONLINE/