(2LONLINE) – Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Mbrojtje dhe shpëtim , si dhe me policinë rajonale, kryqin e kuq dhe drejtorin e arsimit kanë zhvilluar një aktivitet gjatë vitit të kaluar , simulimin e një tërmeti në shkollën e mesme të ulët ”Selami Hallaqi” në Gjilan.
Si rezultat i këtij aktiviteti tanit përmes një takimi në mes të këtyre institucioneve në Kuvendin Komunal të Gjilanit ,është bërë edhe vlerësimi i këtij ushtrimi.
Në emër të agjensionit për emergjenca ka folur Hajriz Sejdiu i cili tha se këto ushtrime apo trajnime janë obligime ligjore të tyre , qoftë i agjencisë për emergjenca ashtu edhe për qeverinë lokale , dhe se kjo traditë sipas tij duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen , në mënyrë që së paku një herë apo dy herë në vit të mbahen ushtrime apo aktivitete të tilla.
‘’Kjo traditë duhet të vazhdojë , duhet të mbahen edhe më tej trajnime të tilla , sepse janë obligime ligjore’’ tha Sejdiu.
Sejdiu më tej shtoi se një vlerësim i këtij aktiviteti është dashur të mbahej dy ose tri javë pas zhvillimit të ushtrimit përmes një takimi të tillë , mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak se në atë kohë kemi qenë pranë zgjedhjeve lokale dhe ka qenë një kohë e pafavorshme.
Përderisa drejtori i shkollës së mesme të ulët ”Selami Hallaqi” në Gjilan Ahmet Aliu , ka falënderuar të gjithë organet përkatëse të cilat kanë qenë pjesëmarrëse, duke thënë se pa këta të fundit ky trajnim nuk do të kishte efekt të plotë pozitiv.
Aliu më tej shton se në disa institucione komunale mungon aparati i zjarrëfikjes, dhe në këtë drejtim sipas tij në vitin 2010-2011 me hartimin e një plani ideor për reagim emergjent , ka kërkuar një model në komunën e Gjilanit, por për fat të keq nuk e ka gjetur një të tillë.
“Mungon aparati i zjarrëfikjes në institucione , dhe mungon hartimi i ndonjë plani për reagim emergjent në komunën e Gjilanit’’ tha Aliu.
Ndryshe në këtë takim është folur për bashkëpunimin më të thellë në mes agjensionit për emergjenca , drejtorisë komunale për mbrojtje dhe shpëtim , kryqit të kuq , zyrtar të arsimit dhe policisë rajonale të Gjilanit , si dhe kanë shkëmbyer përvojat e tyre në këtë aspekt. /Edona Jerliu/2lonline/