Njohës të çështjeve kushtetutese vlerësojnë se Forca e Sigurisë së Kosovës mund të bëhet ushtri e mirëfilltë edhe pa u ndryshuar Kushtetuta, por vetëm duke ndryshuar disa ligje.
Sipas tyre, nëse FSK-së i ndërrohet emri, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta, në të kundërtën FSK-ja mund të fuqizohet në bazat e një ushtrie, vetëm duke i ndryshuar ligjet, shkruan Zëri.
Analisti Mazllum Baraliu ka deklaruar se ka mundësi që FSK-së mos t’i ndërrohet emri tani dhe përmes ligjit për FSK-në të detalizohen ato çështje për të cilat po pretendojnë që t’i fusin në Kushtetutë përmes ndryshimit të saj. Ai ka thënë se Kushtetuta nuk pengon që me ligj të rregullohen çështjet e armatës apo e FSK-së, ku hyjnë komponenti i mbrojtjes, i armatimeve e komponentë të tjera.
Ndërsa deklarimet e kryeministrit Hashim Thaçi se në rast se nuk aprovohen tani ndryshimet kushtetuese Kosova do të humbë shumë vite deri në themelimin e ushtrisë, Baraliu i ka cilësuar si të paqëndrueshme.