(2LONLINE) – Misioni i Agjencionit të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka mbajtur sot një takim me studentët e Universitetit Publik të Gjilanit, për t’i informuar ata për mënyrën e aplikimit në programin e bursave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para qindra studentëve të pranishëm, drejtori i zyrës ekonomike në USAID, Scott Cameron, ka thënë se programi u bursave është në nivel master, në fushën e sundimit të ligjit, të teknologjisë informative, arsimit etj.
“Qëllimi i këtij programi është që t’i ndihmojmë studentëve që të mësojnë më shumë për aspektin ekonomik, politik e demokratik dhe të kthehen në Kosovë për t’i kontribuuar vendit të vet. Nuk ka moshë të limituar për program. Aspekt tjetër i këtij programi është që t’i ndihmojmë studentët që janë afër mundësisë së kalimit të testeve, pastaj ndër aktivitetet kyçe janë edhe kurset për përgatitjen pë programin master”, ka thënë drejtori i zyrës ekonomike në USAID, Scott Cameron.
Ai ka inkurajuar femrat dhe minoritetet që të aplikojnë në këtë program të bursave, ndërsa ka shtuar se kriter është njohja e gjuhës angleze dhe nota mesatare në studimet themelore 7.5.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit ka folur drejtori i Drejtorisë Komunal për Arsim, Nazmi Musa,iI cili ka falënderuar USAID-in për mundësinë që po ua jep studentëve të studiojnë në nivelin master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne e mbështesim këtë program dhe u jemi mirënjohës për këtë mundësi që po ua jepni studentëve të studiojnë në nivelin master në shumë fusha dhe do të kemi bashkëpunim të mirë me ju. Studentët do t’i jepet mundësia që t’i ngrisin njohuritë e tyre në lëmit e caktuara dhe do të kthehen për t’i ndihmuar Kosovës e Gjilanit në tërësi”, ka thënë Musa./2lonline/