Me rastin e Festë së Vitit të Ri, zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka uruar qytetarët e Kosovës.
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Është bërë praktikë që me rastin e ndërrimit të moteve, të flasim gjerë e gjatë për punët që kemi bërë gjatë tërë vitit si institucione të Republikës.
Sot, nuk do të flasim për atë që kemi bërë sepse në vazhdimësi kemi qenë bashkë me ju në punë e aktivitete, në sfida e projekte, andaj bashkërisht kemi parë se çka është punuar dhe sa është përmirësuar jeta e qytetarit tonë.
Falë punës dhe seriozitetit, përkushtimit dhe përkrahjes së Kryeministrit Haradinaj, bashkë me Ministrin Pal Lekaj, ia kemi dal t’ia ndryshojmë pamjen Kosovës.
Çdo komunë, lagje, rrugë nacionale, autostrada, kanë marrë një pamje ndryshe. Ajo që mund të deklaroj me përgjegjësi të plotë është se; ende nuk i kemi përjetuar ditët më të mira.
Viti 2019 do të jetë vit dinamik, i angazhimeve dhe vendimeve të rëndësishme. Fundi i 2019-së, do ta gjejë një Kosovë moderne, me infrastrukturë të kompletuar dhe evropiane.
Duke iu uruar të kaloni momente të paharruara në përmbyllje të këtij viti, ju dëshiroj shëndet e suksese, harmoni e begati në vitin 2019. Si Qeveri e Republikës, mbetemi të vendosur që përnjëmend të jemi në shërbim të qytetarëve.
Urime!