Me emrin e Allahut Meshiruesit , Meshireberesit, Mëshirëplotit.
Lavdi e falënderimi i takon Zotit fuqiplotë, Atë e madhërojmë dhe vetëm Atij i përgjërohemi për falje e pendim, Salavatet e selamet tona qofshin për më të mirin e njerëzimit, Muhamed Mustafanë, familjen e tij të pastër shokët e tij Besnik dhe mbi gjithë pasuesit e rrugës së tijë të drejtë.
Të dashur besimtarë
Qytetarë të nderuar të Gjilanit
Ju vëllezër e motra
Sonte është natë e madhe, nata e Ramazanit që edhe praktikisht besimtarët musliman nisin fillimin e muajit të madhëruar të Ramazanit.
Kam nderin dhe privilegjin e madh që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan të uroj dhe përhajroj të gjithë besimtarët me ardhjen e muajit të Ramazanit, duke e lutur Zotin fuqiplotë që ky muaji i bekuar të sjellë në mesin tonë qetësinë e rehatinë e duhur shpirtërore për ta kryer agjërimin me devotshmëri më të lartë.
Muaji i Ramazanit është muaji i mirësive të shumta ibadetit e mëshirës , është muaj i solidaritetit e ndihmës e mbi të gjitha është muaji i Kuranit.
Allahu i Lartësuar thotë:
E Kush e përjeton prej jush këtë muaj, le ta agjërojë
Të dashur besimtarë
Ne si besimtarë që jemi besojmë thellë, dhe njohim Kaderin e Zotit dhe jemi të pregaditur shpirtërisht që të përballemi me këtë fatëkeqsi, me ndjesi maksimale por edhe me qetësin e duhur, pa frikë, pa ankth, pa stres.
Mbështetja në Zotin largon frigën, ofron siguri e optimizem për besimtarët.
Për dallim nga e kaluara, këtë Ramazan po e presim në kushte jo normale për shkak të pandemisë globale ndaj të cilës nuk ka qenë imune as vendi ynë , porse ne si besimtarë myslimanë që jemi , të mbështetur në besimin e thellë në Zotin , me durim , disciplinë e solidaritet me njëri tjetrin jemi të bindur se edhe këtë sfidë do e tejkalojmë me sukses, sikur edhe shumë sfida e vështirësi të mëdha gjatë historisë tonë kombëtare.
Masat e ndërmara për pezullimin e faljes kolektive me xhemat nëpër xhamitë tona nuk kanë qenë fare të lehta për ne , mirëpo ne kemi treguar e dëshmuar qytetari të lartë me përmbajtjen dhe disiplinimin tonë karshi vendimeve të organeve kompetente shtetërore por edhe fetare, gjithnjë duke pasur në hatër shëndetin tonë dhe mbrojtjen e popullatës tonë nga kjo pandemi.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan gjatë kësaj periudhe të vështirë për vendin tonë sikur edhe gjithherë ka qenë e angazhuar maksimalisht të ndihmoj institucionet e vendit në këtë kohë krize , dhe ti dalë në ndihmë të gjithë nevojtarëve e skamnorëve në komunën tonë, dhe kështu do vazhdojmë edhe në të ardhmen ngase këtë e kemi obligim njerëzor, fetar e moral.
Me këtë rast ftoj të gjithë besimtarët tanë që gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit të jenë më solidarë , më të afërt dhe më të vëmendshëm ndaj atyre që kanë vështirësi socio ekonomike .
Në fund Lusim Allahun e madhërishëm qe ky muaj i bekuar i Ramazanit të sjellë begati e bereqet në mesin tonë ,në familjet tona dhe mbi vendin tonë.
Edhe njëherë urime e me hajr na qoftë Ramazani.
Kryetari
Naim Aliu