(2L ONLINE) – Me rastin e festës së flamurit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan uron të gjithë qytetarët me përgëzimet më të mira për jetë të rehatshme dhe mirëqenie në familje e shoqëri. Ngjarjet e mëdha nëpër të cilat kaloi vendi dhe populli jonë gdhendën krenarin dhe nderin e kombit tonë.
Momentet e tilla historike determinuan të ardhmen duke e vendos në binarë të sigurt subjektivitetin e qenies sonë në këto troje. Vendimet e tyre dhe sakrificat e më pasme në mbrojtjen e idealeve tona na veshin me petkun e përgjegjësisë duke na bërë të vetëdijesohemi për barrën e amanetit që bartim nga trashëgimia e lavdishme e cila për ne vendosi shenjat e rrugëtimit dhe qartësoi kahet e ecjes drejt shtigjeve të pavarësisë.
Shtetësia e Kosovës na dha kuptimin e duhur dhe sublimoj vullnetin e popullit tonë. Shumë kush nga ne sakrifikoi jetë e pasuri që ne të gëzojmë këtë liri ndërsa ne na mbetet që të ndërtojmë paqen, sigurinë dhe mirëqenien e këtij vendi. Një shtet ku të gjithë do të ndjehen mirë, aty ku sundon rendi dhe ligji, ku të gjithë jetojnë duke gëzuar të drejtat e tyre si objektiva jetike për individin dhe shoqërinë. Le të jenë këto festa përkujtim i lidhjes së besës, dhe se ne do të dimë të çmojmë kontributin e atyre që investuan për vendin tonë, duke realizuar objektivat e tyre.
Sigurisht se ne në Bashkësinë Islame, si besimtarë dhe institucion do të jemi të devotshëm dhe të përkushtuar në këtë rrugëtim. Nuk ka dyshim se në të kaluarën tonë dhe në të tashmen, në ulemat dhe qëndrimet dhe veprimtarinë e tyre patriotike, kombëtare e fetare, kemi shembullin më të mirë.
Me rastin e kësaj festë në të gjitha xhamitë e Komunës së Gjilanit, në ligjeratën e xhumasë- Hytbe, do ti kushtohet kontributit të figurave më të nditura të ulemasë, në zgjidhjen e qeshtjes kombëtare, fetare dhe të atdheut.
Urime festat e nëntorit në 102 vjetorin e pavarësisë
Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan
Sulejman Osmani, kryetar