Teatri Magjik i Fëmijëve, që funksionon në kuadër të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, i mbush 2 vjet nesër, më 1 qershor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Teatri Magjik i Fëmijëve”, funksionon si skenë e veçantë në kuadër të Teatrit të Gjilanit, por që u dedikohet ekskluvisht shfaqjeve e programeve për fëmijë.
Drejtues të teatrit thanë se përgjatë këtyre dy viteve, Teatri Magjik i Fëmijëve ka sjellë 71 shfaqje për fëmijë. 19,300 është numri i fëmijëve e prindërve që kanë vizituar shfaqjet e programet tona duke dhuruar po aq buzëqeshje e po aq dashuri, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Drejtori i Teatrit të Qytetit, Erson Zymberi ka thënë se ndjehet krenar për themelimin e Teatrit Magjik të Fëmijëve si skenë e program i menduar ekskluzivisht për më të dashurit tanë, të cilin e themeluan më 1 qershor 2018.
“Nesër, Teatri Magjik i Fëmijëve mbush 2 vjet. Unë i dëshiroj jetë të gjatë bashkë me shumë shfaqje e shumë dashuri për fëmijët. Ky teatër bashkë me këtë projekt a ide do të ishte i pamundur pa ndihmën e stafit të teatrit dhe pa besimin e madh të komunës së Gjilanit. Mirënjohës përjetësisht të gjithëve për ndihmën”, ka thënë Zymberi. /2LONLINE.com/