Universitetit Publik ”Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar 28 Nëntorin ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar, Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe Ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fillimisht nga kori i Universitetit është intonuar Himni Kombëtar dhe Himni i Kosovës.
Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi në fjalën e tij ka uruar të gjithë për festën e Nëntorit të madh, Nëntorin e lavdisë, Nëntorin e përpjekjeve dhe arritjeve të popullit tonë shqiptar, të ngjarjeve të rëndësishme, të cilat i përkujtojmë me mburrje dhe krenari të madhe.
Rektori Kosumi ka thënë se 28 Nëntori është ditë e shenjtë dhe datë emblematike në memorien e kombit tonë që përmbledh aspiratat për liri. Kjo festë na bashkon të gjithë shqiptarëve, nën hijen e flamurit kuq e zi, për të kujtuar rrugën që e kemi kaluar deri më sot, gjakun e dëshmorëve të rënë dhe brezat e tërë që janë sakrifikuar për liri.
Sot shqiptarët ka thënë Rektori janë bërë faktorë i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe më gjerë. Prandaj, kjo ditë duhet të jetë dita e kremtimit të vlerave evropiane, të vizionit tonë për një të ardhme më të ndritur për të gjithë shqiptarët.
Më pas fatosat e lirisë, fëmijët e Institucionit Parashkollor Dardania, kanë recituar vjershën “28 Nëntori”.
Koha e trazirave, e plagëve të atdheut, është kohë kur edhe poetët duhet t`i armatosnin vargjet… Me poezinë “HYMNI I FLAMURIT”, të krijuesit të letrave shqipe Fan. S. Noli, është paraqitur studentja Atika Salihu.
Gjatë organizimit në Nëntorin e lirisë, fëmijët e Jasharajve janë jetësuar në skenë me minidramën “GJUMI I VDEKJES- ZGJIMI I GJAKUT”, e autorit Begzat Baliu, luajtur nga studentet e Fakultetit të Edukimit: Antigona Veseli, Erona Morina, Eriola Maliqi, Rinesa Avdyli, Nevrie Halimi dhe Gentijana Emini.
Kori i UKZ-së nën drejtimin e profesoreshës Dritë Kryeziu kanë interpretuar këngën “PËR MËMËDHENË”.
Më pas Poezinë “ATDHEU” të autorit Bajram Kosumi e ka interpretuar studentja Arlinda Basha, kurse poezinë “SHQIPËRIA” të autorit Merxhan Avdyli e ka interpretuar studentja Arbisa Krasniqi.
Kurse disa studentë të Fakultetit të Edukimit në bashkëpunim me profesorin e artit figurativ, Ahmet Ibrahimi, kanë organizuar ekspozitë me punime të artit pamor kryesisht me motive kombëtare. /2LONLINE/