/Me rastin e 4-vjetorit të themelimit të Universitetit “Kadri Zeka” (UKZ) – Gjilan – fjala e rektorit/
Prof. asoc. dr. Bajram Kosumi
Më 6 mars Universiteti Kadri Zeka në Gjilan mbushi 4 vjet. Sado, të gjithëve na duken pak 4 vjet për një universitet, këto vjet janë vite të themelimit, prandaj janë më të rëndësishmet në historinë e një universiteti.
Nga takimi ynë i 6 marsit të vitit të kaluar, në UKZ ka vazhduar me sukses konstituimi i universitetit në të gjitha përmasat e tij:
Është bërë një punë e madhe në riakreditimin e pesë programeve ekzistuese, të cilat tashmë janë të riakrdituara edhe për tre vite akademike.
Tash jemi në proces të riakreditimit edhe të dy programeve ekzistuese, si dhe të tri programeve të reja. Programet e reja janë të gjitha të nivelit master dhe me këtë UKZ do ta realizojë edhe nivelin e dytë të studimeve.
Po ashtu, disa nga programet e reja janë në bashkëpronësi të më shumë se një fakulteti dhe në një rast të më shumë se një universiteti, me çka kemi hapur rrugën e bashkëpunimit shumë të ngushtë e cilësor me universitete të tjera. Me këtë rast falënderoj Universitetin Ukshin Hoti në Prizren dhe Universitetin Haxhi Zeka në Pejë për punën në programe të përbashkëta studimore.
Hartimi i të gjitha këtyre programeve studimore ka kërkuar një punë ekipore të stafit akademik, për çka i falënderoj të gjithë ata të cilët kanë qenë të angazhuar në grupet e punës, e në veçanti falënderoj për udhëheqjen e këtij procesi prorektorët e UKZ.
Po ashtu, falënderoj Universitetin “Hasan Prishtinë” të Prishtinës, prej gjirit të të cilit kanë dalë të gjitha universitetet e tjera në Kosovë dhe me ndihmën e tij janë zhvilluar.
Pranimi i personelit të ri akademik ka vazhduar gjatë tërë vitit: Nga 4 profesor të rregullt me orar të plotë dhe 9 asistentë para një viti, sot UKZ ka 26 profesorë me orar të plotë, tre ligjërues dhe 11 asistentë. Ligji na obligon qartë për numrin e stafit akademik, por fatkeqësisht, qoftë për shkak të mungesës së financave apo të zbrazëtive të mëhershme, sa do ka një lëvizje pozitive, ende jemi larg standardeve për një universitet cilësor.
Universiteti ynë po rritet dita ditës. Në tetorin e kaluar në pranuam në studime brezin e pestë të studentëve. Tashmë ne kemi rreth 6 mijë studentë.
Por, ende nuk jemi liruar nga praktikat e deritashme universitare: ende studentët jo aktivë janë në numër mjaft të madh.
Procesi zgjedhor në zgjedhjen e udhëheqjes së Universitetit në të gjitha nivelet ka përfunduar me sukses.
Tashmë UKZ ka organet udhëheqëse statutare të rregullta, nga Këshilli Drejtues, rektori, senati, prorektorët, dekanët, prodekanët, këshillat e fakulteteve, si dhe Parlamentin Studentor.
Të gjitha këto organe udhëheqëse dhe menaxhuese janë aktive dhe secili bën punën e tij të çmuar. Me këto organe,
UKZ është e aftë të vetëqeveriset dhe ka krijuar kushtet për pavarësim të plotë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë.
Ne shpresojmë se ky proces do të ndodhë brenda këtij viti dhe për këtë falënderoj Ministrin e MASHT.
Gjatë këtij viti cilësia e studimeve ka qenë në interesimin tonë përherë. Falënderoj prorektorët, dekanët, tash edhe prodekanët, profesorët dhe asistentët që janë angazhuar në këtë drejtim.
Veçanërisht falënderoj edh Parlamentin Studentor dhe udhëheqjen e saj, të cilët janë seriozë dhe kërkues në ngritjen e cilësisë së studimeve.
Ndërlidhja e programeve studimore me tregun e punës është një pikë kthese në UKZ dhe në studimet e larta në Kosovë. Deri më tash nuk ka pasur një marrëdhënie midis këtyre dy faktorëve. UKZ ka filluar, që me tri programet e reja master, ta ketë tregun e punës si pikën kryesore referenciale.
Ne do të mundohemi të krijojmë studentë të cilët i kërkon tregu i punës dhe ka hapësirë në tregun e punës. Ne nuk dëshirojmë të krijojmë studentë me diplomë për të cilët nuk ka treg të punës dhe, në këtë çështje kërkojmë përkrahjen e të gjithë faktorëve të rëndësishëm social, politikë e biznesorë.
Këshilli Drejtues i UKZ ka filluar punën në përgatitjen e Strategjisë Zhvillimore. Në dy punëtori qendrore dhe në katër punëtori sektoriale është hartuar koncepti themelor i strategjisë. Me këtë Strategji UKZ do ta qartësojë vizionin dhe planin e veprimit për pesë vitet e ardhshme. E falënderoj Këshillin Drejtues dhe të gjithë të angazhuarit në hartimin e Strategjisë.
UKZ ka bërë hapat e parë në fillimin e programit e-Learning. Këtu e falënderoj Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Dekanin e profesorët e asistentët e tij për punën që e kanë bërë në këtë projekt. Shpresoj që në vitin tjetër akademik do të kemi bërë hapa të tjerë përpara në këtë drejtim.
Në tetorin e vitit të kaluar kanë diplomuar studentët e parë të UKZ. Ajo ka qenë një ditë e shënuar në historinë e Universitetit. Unë kam prezantuar në mbrojtjen publike të diplomës të studentit të parë që po diplomonte. Ajo mbrojtje e diplomës më ka bërë krenar me cilësinë e studimeve në Universitet, me punën e studentëve dhe me punën e profesorëve.
UKZ ka vazhduar të ketë kuota të veçanta për studentët të cilët vijnë nga Bujanoci, Presheva, Kumanova dhe nga viset tjera shqiptare përreth. Sa do studentët tanë ende kanë probleme me njohjen e diplomave të Republikë së Kosovës nga ana e shtetit serb, një numër i konsiderueshëm i nxënësve të këtyre anëve vijnë të studiojnë në universitetin tonë. Ne i mirëpresim të gjithë dhe do të vazhdojmë t’i mirëpresim edhe në të ardhmen.
Në planin e ndërkombëtarizimit të UKZ në vitin 2017 jemi bërë pjesë edhe e një projekti shkencor REBUS të Erazmus+. Me këtë projekt, UKZ është bërë pjesë e tre projekteve shkencore të Erazmus+, dhe kjo është një e arritur e rëndësishme për një universitet të ri.
Po ashtu, janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar, prej të cilave presim rezultate konkrete. Një numër i studentëve tanë janë pjesë e këtyre projekteve dhe janë në universitete europiane duke marrë përvojat e tyre, ndërsa disa nga asistentët tanë janë duke kryer doktoratat në universitete europiane si pjesë e këtyre projekteve.
Por, Qeveria duhet të shtojë kujdesin për ndërkombëtarizimin e universiteteve në aspektin financiar, sepse UKZ ka për këtë vit vetëm 15 mijë euro në dispozicion.
Në Kuadër të programit Gest Speaker në UKZ kanë mbajtur ligjërata një numër i konsiderueshëm i personave me të arritura tëveçanta në fushat e tyre. Qëllimi ynë me këtëështë të sjellim në UKZ dhe në Gjilan të arritura kulmore nga bota. E ftojmë elitën intelektuale të kësaj ane, shoqërinë civile dhe të gjithë të interesuarit e tjerë që të jenë pjesë e këtij dialogu të vlerave me kampionët e fushave të ndryshme.
UKZ ka bërë hapa shumë të rëndësishëm gjatë një viti. Por, puna në konstituimin e plotë të tij si universitet modern ende nuk ka përfunduar. Brenda këtij viti dhe gjysmës së vitit tjetër ne besojmë se do ta përfundojmë me sukses këtë proces madhështor. Gjatë këtij viti ne presim të startojmë me studimet master, ndërsa brenda vitit të ardhshëm edhe me studimet e doktoratës.
Po ashtu, brenda kësaj periudhe ne presim të startojmë me krijimin edhe të një fakulteti të ri, Fakultetin e biomjekësisë aplikative, të orientuar kah programet studimore fizoterapeutike. Gjatë kësaj periudhe presim që edhe administrata e UKZ të rritet dhe të trajnohet për të administruar në mënyrë të pavarur universitetin.
Të gjitha këto presim të realizohen deri kah mesi i vitit të ardhshëm. Dhe, të gjitha këto me një qëllim: ta ndërlidhim shoqërinë tonë me tregun kosovar dhe me tregun europian.
Për shoqërinë e sotme në Kosovë, asnjë investim nuk është më i leverdishëm se sa investimi në arsim. Investimi në arsim është resursi më i fortë ekonomik i Kosovës. Shpresojmë që qeveria e Kosovës të ecën në këtë drejtim.
Na priftë e mbara në këtë rrugëtim shpresëdhënës!