Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, Menaxhmenti i UKZ, Dekanët e Fakulteteve, së bashku me Stafin Akademik, në mënyrë solemne kanë pritur studentët e rinj me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2021/2022.
Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve u ka dëshiruar mirëseardhje studentëve të rinj, duke shprehur bindjen se ata që nga sot do të angazhohen për të nxënë dijet e reja, rrugë në të cilën Universiteti do t’iu ndihmoj me te gjitha kapacitetet e tij.
Edhe drejtuesit e Fakulteteve, Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli Dekan i Fakultetit të Edukimit, Prof. Ass. Dr. Sadik Haxhiu Dekan i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi Dekan i Fakultetit Ekonomik, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Prof. Ass. Dr. Shpresë Qamili Dekane e Fakultetit të Shkencave Aplikative, kanë uruar të gjithë studentët për një fillim të mbarë, duke ju dëshiruar arritjen e sukseseve maksimale. Ata kanë thënë se pas sfidave të procesit të mësimit online ky vit po fillon në mënyrë fizike falë kontributit të gjithëve, por duhet pasur kujdes të shtuar në respektimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës dhe rekomandimeve të IKShPK-së, sepse vetëm me angazhimin e të gjithëve do të kontribuojmë në ruajtjen e shëndetit për njëri-tjetrin.
Ndryshe në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan ndjekin studimet afër 7 mijë studentë, ndërsa këtë vit, nisin studimet rreth 1000 studentë të rinj. /2LONLINE.com/