Në nderim të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, Ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizoi një aktivitet të veçantë, duke promovuar librat e disa autorëve të shquar të letërsisë shqipe te cilët njëherësh janë profesor të Universitetit Publik ‘Kadri Zeka”.
Ky organizim mblodhi studentë, pedagogë dhe dashamirës të letërsisë, të cilët nderuan këtë datë historike dhe njëherazi u njohën me krijimtarinë e re letrare.
Librat e promovuar përfshinin: “Autorë të zgjedhur të letërsisë shqipe” dhe “Asgjë si atëherë” nga Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, “Zëri narrativ-katër pamje” nga Prof. Ass. Dr. Flamur Maloku dhe “Letërsia popullore” nga Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismaili.
Me këtë rast, Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, mbajti një fjalë rasti, ku përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e librave të promovuar, si një pasuri e çmuar për kulturën dhe letërsinë shqipe. Ai foli gjithashtu për simbolikën e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si një gurthemel të identitetit kombëtar dhe frymëzim për brezat e rinj.
Gjatë fjalimit, Rektori Dermaku vlerësoi punën e autorëve të pranishëm dhe rolin e tyre në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore, ndërsa inkurajoi studentët dhe të rinjtë për të lexuar, studiuar dhe kontribuar në zhvillimin e vlerave kombëtare.
Në vijim, recensentët e këtyre veprave mbajtën fjalime, duke ofruar një analizë profesionale të përmbajtjes dhe rëndësisë së librave, si dhe duke përçuar vlerësime për punën dhe dedikimin e autorëve.
Studiuesi Prof. Dr. Bajram Kosumi, ndau një vështrim kritik për librin studimor të profesor Merxhan Avdylit dhe profesor Flamur Malokut. Studiuesi Zeqir Kadriu, analizoi librin e Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismailit dhe Publicisti Berat Armagedoni, ndau mendimet e tij për librin e Prof. Ass. Dr. Flamur Maloku.
Në ndërkohë vet autorët e librave të promovuar ndanë me të pranishmit frymëzimin dhe përvojën e tyre në procesin krijues, duke nënvizuar vlerën që librat e tyre sjellin për lexuesit dhe kulturën shqiptare.
Ky përurim i librave nga profesorët e Fakultetit të Edukimit, organizuar në prag të Festave të Nëntorit, ishte një nderim për ngjarjet historike që formësuan kombin shqiptar, Pavarësinë e Shqipërisë, Kongresin e Alfabetit, si dhe momentet e lavdisë kombëtare që frymëzojnë çdo brez. Në këtë kontekst, librat e përuruar u vlerësuan si kontribut i çmuar për trashëgiminë kulturore dhe arsimore. /2LONLINE/