Një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në përbërje të Dekanit të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Artan Dërmaku, i cili nga 1 tetori 2023 merr detyrën e Rektorit të UKZ-së, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Dukagjin Leka si dhe profesori Selim Daku, kanë marrë pjesë në Forumin e shtatë të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Universitetin e Rjekës në Kroaci.
Në Forumin e Rektorëve për Evropën Juglindore, i cili përfshin 27 universitete nga rajoni, Universitetet pjesëmarrëse prezantojnë punën e tyre duke krijuar një rrjet për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve akademike në këtë pjesë të Evropës.
Me këtë rast, nga përfaqësuesit e Universiteteve pjesëmarrëse në këtë forum është thënë se rajoni ynë ka nevojë për vizione dhe politika që mbrojnë shoqëritë qytetare, demokratike, multietnike, multikonfesionale, të hapura, pluraliste dhe gjithëpërfshirëse në vendet tona.
Po ashtu gjatë forumit Universitetet kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të qenë kontribuuese aktive dhe proaktive në këtë proces.
Në anën tjetër, prania dhe kontributi i UKZ-së në këtë forum, hyn në vazhdën e rolit aktiv të Universitetit, të shprehur në nivel rajonal dhe më gjerë, në plan ideor, rreth projekteve ndërkombëtare, politikave rreth sigurimit të cilësisë, inovacionit, shkencës, etj.. /2LONLINE/