Në Universitetin e Sarajevës, më 30 dhe 31 maj 2024, u zhvillua Konferenca e 8-të e Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, morën pjesë Dekani, prof. dr. Xhevdet Thaqi, dhe prodekani, prof. asoc. dr. Ekrem Alimi nga Fakulteti i Shkencave Aplikative.
Tema kryesore e kësaj konference ishte “E ardhmja e universiteteve dhe Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP” – “Future of Universities and the Rectors’ Forum of SEE and WB”.
Pas fjalës hyrëse të Rektorit të Universitetit të Sarajevës, Rifat Shkrel, u paraqitën kumtesat nga Thomas Jorgensen, Anna-Letematika dhe Claeys-Kulik nga EUA. Më pas, qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimin e arsimit të lartë dhe Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP u elaboruan edhe nga panelistët: Biljana Angelova (Universiteti i Shkupit), Enita Nakaš (Universiteti i Sarajevës), Igor Nedelkovski (Universiteti i Manastirit) dhe Gregor Majdič (Universiteti i Ljubljanës).
Pas raportimit të punës së Forumit të Rektorëve për periudhën e kaluar nga Rektorja e Universitetit të Rijekës, Snježana Prijić Samaržija, u kërkua miratimi i kërkesave të universiteteve tjera për pranim në këtë Forum. Në mesin e tyre u prezantua edhe kërkesa e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajit, e cila u procedua për pranim në mbledhjen e radhës së Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP.
Në vazhdim të konferencës, u zhvilluan aktivitete në formë të grupeve punuese:
Grupi i punës lidhur me temën “Avancimi i programeve të arsimit të lartë në Evropën Juglindore”, udhëhequr nga Marta Zuvic (Universiteti i Rijekës), u fokusua në zhvillimin e programeve studimore që ndërlidhin punën kërkimore të universiteteve dhe nevojat e tregut të punës, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të shoqërisë.
Grupi i punës lidhur me temën “Avancimi i kërkimit shkencor dhe inovacionit në Evropën Juglindore”, udhëhequr nga Bostjan Markoli (Universiteti i Ljubljanës), u fokusua në diskutimet lidhur me mbështetjen e hulumtimit dhe inovacionit shkencor dhe infrastrukturës mbështetëse në arsimin e lartë.
Gjatë ditës së dytë të këtij takimi, u zhvilluan punimet të fokusuara në temën e financimit të punës shkencore në nivelin evropian, kombëtar dhe institucional. Rezultatet e këtyre diskutimeve shpalosën fakte të rëndësishme për shembujt pozitivë dhe vështirësitë në financimin dhe mbështetjen e kërkimeve shkencore në nivele të ndryshme, përfshirë institucionet e arsimit të lartë – universitetet.
Konferenca e radhës e Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP do të mbahet në Universitetin e Manastirit më 11-12 shtator 2024. /2LONLINE/