Delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, i udhëhequr nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, të premten e kaluar ka përmbyllur me sukses javën studimore “Mobility Exchange for Staff and Students” të organizuar nga Universiteti PH Zug në Zvicër.
Pjesë e delegacionit të UKZ-së ishin edhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, anëtarja e Këshillit Drejtues, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, U.D. udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, Betim Berisha, si dhe 11 studentë të UKZ-së.
Vizita u karakterizua nga një sërë aktivitetesh akademike dhe ndërkulturore. Delegacioni u prit nga Rektorja e PH Zug, Prof. Dr. Esther Kamm, ku u nënshkrua një marrëveshje e re bashkëpunimi, që synon të forcojë partneritetin mes dy institucioneve. Marrëveshja përfshin shkëmbimin e stafit dhe studentëve, organizimin e një shkolle verore të përbashkët dhe zhvillimin e një programi të përbashkët në Fakultetin e Edukimit.
Një moment i veçantë gjatë vizitës ishte ligjërata e mbajtur nga Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica dhe Prorektori Prof. Dr. Dukagjin Leka, me temën “Roli i mësuesve në shkollë dhe shoqëri”. Ligjërata trajtoi ndikimin e mësimdhënësve gjatë periudhës së viteve 1990-1999 në Kosovë, duke përfshirë sfidat e mësimit në sistemin paralel të organizuar në shtëpi-shkolla.
Përvoja e arsimit gjatë kësaj periudhe u krahasua me kontekste të tjera globale, duke nxjerrë në pah përkushtimin unik të sistemit arsimor të Kosovës në kohë të vështira. Një kontribut të veçantë në këtë ligjëratë dha edhe Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili ndau eksperiencat e tij personale si nxënës gjatë asaj periudhe.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, delegacioni i UKZ-së zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të Universitetit të Lucernit. Në këto takime u arrit dakordimi për krijimin e një partneriteti strategjik, i cili përfshin projekte të përbashkëta si shkëmbime ndërkombëtare, programe të përbashkëta diplomimi dhe trajnime për stafin dhe studentët, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve hulumtuese dhe inovative.
Vizita përfundoi me një mesazh të qartë për rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin e UKZ-së. Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku vlerësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të cilësisë së arsimit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së universitetit në tregun global. /2LONLINE/