Në 43-vjetorin e rënies heroike të atdhetarit Kadri Zeka, Universiteti Publik që me krenari mban emrin e tij, organizoi aktivitete përkujtimore për të nderuar veprën e tij madhore.
Fillimisht u bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, ku Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i shoqëruar nga prorektorët, dekanët dhe stafi i UKZ-së, vendosën buqeta lulesh për të nderuar kujtimin e dëshmorëve. Pas homazheve, ata bënë nderime tek shtatorja e Kadri Zekës në qytet, një simbol i krenarisë kombëtare, ku u vendosën po ashtu buqeta lulesh, duke përçuar mesazhin e respektit të përhershëm për sakrificën e tij.
Në vijim, Rektori Dërmaku dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan familjen e Kadri Zekës. Duke vlerësuar lart kontributin e tij, Rektori theksoi se, Kadriu ishte dhe mbetet një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për lirinë e vendit tonë. “Ju dhe Ne të gjithë, duhet të jemi krenarë për veprën e tij madhështore, e cila është frymëzim për ne dhe për brezat që vijnë. Kujtimi i tij është i gjallë dhe ne do ta nderojmë gjithmonë me krenari”, ka thënë Rektori Dërmaku.
Nga ana tjetër, familjarët e heroit Kadri Zeka, Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe bashkëveprimtarja Saime Isufi, falënderuan përzemërsisht delegacionin e Universitetit për nderimet e bëra. Duke rikthyer kujtimet për Kadri Zekën, ata ndanë momente të jetës dhe veprës së tij, duke theksuar se ai mbetet një simbol i pavdekshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Bashkëveprimtarja Saime Isufi kujtoi Kadriun si një të ri me shpirt të guximshëm dhe vizion të qartë për lirinë e Kosovës.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” e sheh këtë përvjetor si një detyrim moral për të ruajtur dhe përcjellë vlerat që la pas Kadri Zeka. Kjo ditë shërben si thirrje për të ndjekur shembullin e tij dhe për të punuar pa reshtur për një të ardhme më të mirë për vendin. /2LONLINE/