Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka nënshkruar marrëveshjen e re bashkëpunimi me Universitetin “Angel Kanchev” Ruse nga Bullgaria, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë.
Ky bashkëpunim është realizuar në kuadër të Projektit Erasmus+ ICM KA-107 dhe ka për qëllim promovimin e shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik mes dy institucioneve. Delegacioni i UKZ, i përbërë nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe Profesoresha Shejnaze Gagica, aktualisht po qëndrojnë në një vizitë studimore në “Angel Kanchev” University of Ruse, duke hulumtuar potencialet e bashkëpunimit në disa fusha të ndryshme të interesit akademik.
Në këtë kontekst, Rektori Dërmaku mbajti edhe një ligjëratë për studentët në Universitetin e Ruses, duke adresuar temat e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, duke shfaqur një përkushtim të vazhdueshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajnimit të studentëve.
Vizita aktuale në Universitetin e Ruses do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim të identifikimit dhe eksplorimit të mundësive të reja për bashkëpunim në të ardhmen. Kjo përpjekje shpie drejt ndërtimit të lidhjeve të qëndrueshme dhe të frytshme me një institucion të rëndësishëm akademik në Evropë. /2LONLINE/